
Udhëheqësit botërorë e kanë mirëpritur kryesisht deklaratën e Hamasit ku u tha se grupi militant pranoi pjesë të planit të paqes me 20 pika të propozuar nga presidenti Trump, ndërsa kërkoi rinegociime për të tjerat, shkruan BBC.
Ja një përmbledhje e asaj që kanë thënë disa udhëheqës kryesorë të botës:
Katari, i cili ka qenë kyç në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ka mirëpretur deklaratën e Hamasit.
“Ne gjithashtu pohojmë mbështetjen tonë për deklaratat e bëra nga Presidenti [Trump] që bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të lehtësuar lirimin e sigurt dhe të shpejtë të pengjeve dhe për të arritur rezultate të shpejta që do t’i jepnin fund gjakderdhjes së palestinezëve në Rripin e Gazës”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, premtoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për negociata të mëtejshme dhe për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët.
Ai thotë se pranimi nga Hamasi i të paktën disa pjesëve të planit të paqes paraqet një mundësi për t’i dhënë fund luftimeve, për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për ndihmën humanitare “që të arrijë tek ata që kanë kaq shumë nevojë për të”.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zbatojnë marrëveshjen pa vonesë”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres: “U bëj thirrje të gjitha palëve të shfrytëzojnë mundësinë për t’i dhënë fund konfliktit tragjik në Gaza”.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan: “Përgjigjja e Hamasit ndaj planit për vendosjen e një armëpushimi në Gaza përbën një hap konstruktiv dhe domethënës drejt arritjes së paqes së qëndrueshme”
Kancelari gjerman Friedrich Merz: “Lirimi i pengjeve dhe paqja për Gazën janë të arritshme… Pas pothuajse dy vitesh, ky është shansi më i mirë për paqe”.
Presidenti francez Emmanuel Macron: “Lirimi i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim në Gaza janë të arritshme! Angazhimi i Hamasit duhet të pasojë pa vonesë”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni: “Prioriteti për të gjithë tani duhet të jetë arritja e një armëpushimi që çon në lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Italia mbetet e gatshme të bëjë pjesën e saj”.
Kryeministri kanadez Mark Carney: “Ne i inkurajojmë të gjitha palët të punojnë menjëherë për t’i kthyer zotimet në realitet”.