
Operacioni në Karaçevë ishte masiv. Është njëri nga rastet më të mëdha të pasluftës në Kosovë. Jo vetëm për numrin e personave të akuzuar, por për më shumë: numrin e personave që në ende pa filluar gjykimi janë në procedurë për pranim të fajësisë- një dëshmi që faktet që janë mbledhur nga hetuesit e IPK-së dhe të tjerë, nuk mund të kontestohen nga të akuzuarit.
Realizimi i këtij operacioni nuk ishte i lehtë. Pos shumë pengesave, pengesë në vete ishte edhe territori- vendi ku ishte organizuar kampi i kazinove ilegale ishte në zonë neutrale kufitare, ku zyrtarët e IPK-së u desh të bënin shumë koordinime, edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me politikën kosovare.
Albin Kurti si kryeministër sefte, në mandatin e parë, kishte nxjerrë ‘kajde’ për këtë operacion. Madje, nga deklarimet që ai i kishte bërë në një emision të transmetuar në televizionin publik, gati e kishte dekonspiruar krejt operacionin.
Ai kishte folur për operacionin në prill 2020, shumë muaj para se të kryhej ai.
“Njëherë më tha (Agim Veliu-ish ministër i Punëve të Brendshme) në Zubin Potok e herën tjetër në Karaçevë, në atë pjesën e territorit që në bazë së marrëveshjes së Kumanovës mbase edhe nuk është e qartë a është në Kosovë apo Serbi, ndërkohë që ne e dimë që është pjesë e Kosovës – dhe pastaj unë vazhdova me pyetje duke kërkuar që të ketë një si lloj teksti të analizës pse do të kenë suksese këto aksione policore meqë nuk kemi përvojë shumë të mirë me ndërhyrjet në këto zona dhe kur kam kërkuar diçka me shkrim, si dëshmi se këto operacione vlerësohet se do të kenë sukses nuk më është dhënë asnjëherë”, deklaronte Kurti në prill të 2020-ës.
Derisa operacioni i udhëhequr nga IPK-ja si hetim, nxori se krimi në Karaçevë ishte aq i madh sa u akuzuan 73 persona, muaj para se ky operacion të realizohej, Albin Kurti atëherë kryeministër mundohej ta minimizonte. T’iu tregonte organeve të rendit që të fokusoheshin në Prishtinë.
“Unë besoj që po tu thosha unë po do të vinte edhe urdhri”.
“…ka pasur të bëjë me krim e korrupsion pa hollësi vetëm më thuhej gojarisht pa asnjë tekst….Çështja është se unë thashë që numri më i madh i kriminelëve për metër katror është në kryeqytet si bëhet që vazhdimisht duhet të luftohet krimi e korrupsioni diku ku do të fërkohemi me Serbinë, ndërkohë që nuk ke plan se si do të vazhdohet më tutje sepse e dini nuk ka vetëm dështime spektakolore por ka edhe dështime katastrofale, ti mund të arrestosh 4 veta por nëse ngritën barrikada për shkak të 4 vetave ti ke dështuar sërish…”, thoshte Kurti derisa tentonte të ia ulëte meritat këtij operacioni.
Ani pse po flitej për një operacion të madh kundër bixhozit ilegal e kontrabandës në kufi, Albin Kurti duke folur për këtë operacion, nuk i kalonte inati me Agim Veliun, ish-ministrin e brendshëm të tij që e kishte shkarkuar- një vendim që e nisi ortekun politik që do ti jepte fund qeverisë së tij të parë.
“Nuk kam aprovuar unë gjë sa i përket luftimit të krimit e korrupsionit sepse unë kam qenë bartës i krimit e korrupsioni për një operacion specifik policor gjithmonë kërkohej prej meje nga ish-ministri që kjo të ndodh diku ku ka edhe probleme politike. Unë sot besoj që pikërisht ndërhyrjet e tilla dhe mungesa e këtyre ndërhyrjeve kanë qenë një lojë e presidentit kur kolaboracionist ka qenë ish-ministri i brendshëm”, tha Kurti.
Përtej asaj se çka kishte bërë Kryeministri Kurti në atë kohë, duke tentuar që ta minimizonte operacionin në Karaçevë, puna e organeve të rendit kishte vazhduar.
Sot ai angazhim, që nisi nga Inspektorati Policor dhe rrugës iu bashkuan edhe institucione të tjera, ka çuar në një dosje të Prokurorisë, që ka hiç më pak se 300 faqe dhe 73 të akuzuar.
Në këtë dosje, kallëzimet penale, që i posedon InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi, lista e të akuzuarve nis me zyrtarët policor.
InDoks | Bixhoz e kontrabandë, krimi që ende po vazhdon: Dokumentari i plotë: