Si tentoi Shabani me Roshiqin e BIA-s ta fabrikonin një provë kundër ish-krerëve të UÇK’së? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Si tentoi Shabani me Roshiqin e BIA-s ta fabrikonin një provë kundër ish-krerëve të UÇK’së?

    Insajderi
    13 March 2025 - 19:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po akuzohen për spiunim të informacioneve të ndjeshme të shtetit të Kosovës pranë Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, të njohur si BIA. Që të dy akuzohen se, përveç tjerash, kanë ofruar informacione edhe lidhur me krerët e UÇK’së.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për Shabanin dhe Qerimin, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, përflitet edhe për ndihmën që Shabani kishte ofruar për krijimin e një narrative të pavërtetë. Shabani, sipas aktakuzës, tentonte të ndërlidhte Spitalin Ushtarak të UÇK’së të Mollopolcit të Shtimes me “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse aty janë bërë trafikim organesh.

    Siç e përshkruan organi i akuzës, Shabani e njofton zyrtarin e BIA’s, Sërgjan Roshiq, për një libër të quajtur “Për Ferizajn nga fillimi i mjekësisë”, që ka të bëjë me periudhën e luftës së UÇK-së së vitit 1998 – 1999, më konkretisht rreth spitalit të improvizuar të UÇK-së, në fshatin Mollopolc të Shtimes.

    Nga ky libër, Shabani e informon Roshiq për mjekët kirurgë, anesteziologët dhe kompaninë që ka bërë furnizimet në këtë spital përgjatë kohës së luftës.

    Shabani kërkon zyrtarit të BIA-së, një raport nga Dogana e pikës kufitare Hani i Elezit, për periudhën 1998-1999 për të gjitha transportet që i ka bërë kjo kompani, kurse zyrtari i BIA-së i premton se do ti kontaktoj organet e doganës së Serbisë dhe do t’ia sigurojë një raport të tillë”, thuhet në aktakuzë.

    Shabani kërkon nga zyrtari i BIA’s përmes bisedave telefonike që të ndërmarrin veprime në lidhje me veprimtarinë e këtyre mjekëve që kanë ofruar shërbime mjekësore gjatë luftës së UÇK-së, në spitalin e Molopolcit të Shtimes dhe kërkon që këto informacione dhe dëshmi të marra nga ky libër t’u dërgohen
    ndërkombëtarëve.

    Po ashtu, i akuzuari për spiunazh ia përcjell Roshiq edhe material prej një libri të quajtur “Shëndetësia e Ferizajasve dhe UÇK“, ku një kapitull përfshin edhe veprimtarinë e spitalit ushtarak në Mollopolc. Prokuroria Speciale në aktakuzë thotë se “Shabani tenton të provojë se në këtë spital ka funksionuar
    dhe “mund janë bërë transplantime të organeve njerëzore
    ””, e të cilat të dhëna ia dërgon Roshiq.

    Po ashtu, pas letrës së cilës ia kishte dërguar Kryeprokurores së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, Shabani e kishte “orientuar” këtë të fundit që hetimet t’i zgjerojnë edhe për Spitalin e Mollopolcit.

    Çka thuhet në letrën e Bedri Shabanit për Prokurorinë në Hagë?

    Në njërën nga materialet e prezantuara në aktakuzë, është edhe një letër që Bedri Shabani ia ka përcjellë kryeprokurores së Zyres së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West. Në atë letër, siç e përshkruan aktakuza, Shabani kërkon “drejtësi” dhe do që të jetë dëshmitar i saj.

    Shabani i prezantohet asaj si “ish-agjent sekret i UÇK’së i infiltruar në institucionet e larta të ish-Jugosllavisë“.

    …të jetë dëshmitar i saj, dhe jo dëshmitar i rremë, e i manipuluar nga ish Kryeprokurori Jack Smith. Kërkojmë drejtësi, dhe shpresojmë se Ju dhe prokuroret dhe hetuesit që ju që drejtoni do të nxjerrni të gjithë kriminelet para drejtësisë, urdhërdhënësit, vrasësit dhe ata që ndihmuan dhe fshehën krimet. Ju keni mbështetjen tonë dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmi dhe fakte të reja për të zbardhur të vërtetën…. Bedri Shabani ish agjent sekret i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i infiltruar në institucionet më të larta të RSF të Jugosllavisë”, thuhet në letrën, të cilën e kanë siguruar si provë organi i akuzës.

    Në një shënim tjetër të përgjysmuar, të evidentuar në aktakuzë, Shabani shpreh dyshime se punët s’po kryhen sipas planifikimeve për krimet e kryera gjatë luftës.

    Nga ky shenim vërtetohet se i pandehuri, i ka shkruar leter “Kryeprokurores se Gjykates Speciale” znj. Kimberly West, por se shkresa eshte e pergjysmuar. Megjithate, e njejta shkrese ndodhet edhe ne dosjen e marre nga shtepia e tij, ku përmes saj shpreh dyshimet per krime të kryera gjatë luftës së UÇK-së, dhe është i brengosur se punët nuk jane duke shkuar sipas planifikimeve dhe se (pandehuri Shabani), është i gatshem të bashkëpunoj me ta (Zyrën e Prokurorit Special)”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

    Po ashtu, në një shkrim tjetër që përfshihet në aktakuzë, Shabani kërkon që të hetohet më shumë përreth Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Nerodimes në Mollopolc të Shtimes.

    E nderuar zonja Kryeprokurore e Gjykatës Speciale, znj. Kimberly West. Ju lutem mos ndaloni, hetoni më shumë rreth Spitalit Ushtarak të Zonës se Nerodimes në Mollopolc”, thuhet në shënim që mban datën e 17 marsit të 2024-ës. /Insajderi.org/

    Raportimet e Insajderit për të akuzuarit për spiunazh:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark