×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Si u arratis Assad nga Siria duke i tradhëtuar të gjithë

    Insajderi
    14 December 2024 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të shtunën e kaluar, pak orë para se të ikte në Moskë, diktatori sirian Bashar al -Assad zhvilloi një takim me rreth 30 shefa të ushtrisë dhe sigurisë në ministrinë e mbrojtjes ku u tha se mbështetja ushtarake ruse ishte rrugës për në Siri ndaj u bëri thirrje forcave tokësore të durojnë. Këtë e konfirmoi një komandant që ishte i pranishëm në mbledhje.

    Pasi mbaroi mbledhjen, -Assad informoi menaxherin e zyrës së tij presidenciale se po shkonte në shtëpi, por në vend të kësaj u nis për në aeroport. Detajin e zbuloi një këshilltar i rrethit të tij të ngushtë. Ai gjithashtu kishte thirrur këshilltarin e tij të komunikimit dhe i kërkoi që të vinte në shtëpinë e tij për t’i shkruar një fjalim. Por kur ai arriti atje, nuk gjeti askënd.

    Ai nuk bëri asnjë përpjekje për të rezistuar

    “Assad as që rezistoi, qoftë edhe për herë të fundit. Ai as nuk i mblodhi trupat e tij”, – thotë Nadeem Khoury, drejtor ekzekutiv i institutit rajonal të Iniciativës për Reforma Arabe. “Ai i la mbështetësit e tij të përballen me fatalitetin” – shtoi ai. Reuters thotë se e pati të pamundur të kontaktonte Asadin në Moskë, ku i është dhënë azil politik, për të konfirmuar ose mohuar akuzat ndaj tij.

    Nuk dinin asgjë as vëllai dhe as kushërinjtë e tij

    Assad nuk e informoi as vëllain e tij më të vogël Maher, komandant i Divizionit të 4-t të Blinduar elitar të ushtrisë, për planin e tij për t’u larguar. Tre ndihmës të këtij të fundit e konfirmuan këtë. Vetëm më pas, Maher fluturoi me helikopter në Irak dhe më pas shkoi Rusi, tha një nga burimet. Kushërinjtë e Asadit nga nëna, Ehab dhe Eyad Maklouf, ndodheshin në Damask kur ai ra në duart e rebelëve, sipas një ndihmësi sirian dhe një zyrtari libanez të sigurisë.

    Të dy u përpoqën të arratiseshin me një makinë për në Liban, por ranë në një pritë të kryengritësve që hapën zjarr ndaj tyre. Thuhet se Ehabi është vrarë dhe Eyadi është plagosur, por nuk ka asnjë informacion të mëtejshëm për shëndetin e tyre.
    Vetë Assad u largua nga Damasku me aeroplan të dielën, më 8 dhjetor, duke fluturuar nën zonën e radarëve me transponderin e avionit të fikur, thanë dy diplomatë rajonalë. Në këtë mënyrë ai u shpëtoi kthetrave të rebelëve që sulmuan kryeqytetin.

    Ndërsa gruaja e tij Asma dhe tre fëmijët e tyre e prisnin tashmë në kryeqytetin rus, sipas tre ish-bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe një zyrtari të lartë rajonal.

    “Jo” nga Rusia dhe Irani

    Më herët, i ishte bërë e qartë vetë Assadit se nuk do të kishte ndërhyrje ushtarake nga Rusia, ndërhyrja e së cilës në vitin 2015 e kishte ndihmuar të kthente valën e luftës civile në favor të tij. Refuzim mori edhe nga aleati tjetër i tij i vendosur, Irani.

    Assad e kishte vizituar Moskën më 28 nëntor, një ditë pasi forcat rebele siriane sulmuan provincën veriore të Aleppos dhe u përhapën si zjarr në të gjithë vendin, por lutjet e tij për ndihmë ushtarake ranë në vesh të shurdhër nga Kremlini, i cili nuk ishte i gatshëm të ndërhynte, thanë 3 diplomatë rajonalë për Reuters.

    Hadi al-Bahra, kreu i grupit kryesor opozitar të Sirisë jashtë vendit, thotë se Assad nuk po u tregonte situatën e vërtetë ndihmësve të tij, citon një burim i afërt me diktatorin dhe një zyrtar rajonal. “Ai u tha komandantëve dhe bashkëpunëtorëve të tij pas udhëtimit të tij në Moskë se mbështetja ushtarake ruse po vinte. Ai i gënjeu. Mesazhi që mori nga Moska ishte negativ” – thotë Bahra.

    Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia kishte bërë shumë përpjekje për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë në të kaluarën, por prioriteti i saj tani ishte konflikti në Ukrainë. 4 ditë pas këtij udhëtimi, më 2 dhjetor, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi u takua me Asadin në Damask.

    Deri në atë moment, grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kishte marrë kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepos, dhe po zgjerohej drejt jugut teksa forcat qeveritare po dorëzoheshin. Asadi, i alarmuar dhe duke parë se çfarë po vinte, pranoi gjatë takimit se ushtria e tij ishte shumë e dobësuar për të bërë një rezistencë efektive.

    Megjithatë ai kurrë nuk i kërkoi Teheranit të vendoste forcat e saj në Siri. Këtë e konfirmojnë edhe dy zyrtarë të lartë iranianë për Reuters, të cilët vunë në dukje se ai e kuptonte se Izraeli mund ta përdorte këtë ndërhyrje të tillë si pretekst për të goditur forcat iraniane në Siri apo edhe vetë Iranin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark