Qeveria i hapi rrugë ndërtimit të një resorti turistik në Dhërmi, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik aktorit Gazmend Paja. Më herët, qeveria kishte refuzuar këtë investim të propozuar nga kompania “Startek” me arsyetimin se nuk plotësonte dokumentacionin e nevojshëm. Por, kur me ‘Startek’ është bashkuar kompania e Gazment Pajës, qeveria ka dhënë dritën jeshile, duke ngritur hije dyshimi se ky miratim është bërë për shkak të afrimitetit që ka aktori me kryeministrin Rama
Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile miratimit të projektit “Kompleksi Turistik Dhërmi” sapo në kompanitë që kërkonin statusin e investitorit strategjik është përfshirë emri i aktorit të Portokallisë, Gazmend Paja.
Mund të jetë rastësi, por gjithsesi ekzistojnë dyshime se firma e Ramës është ndikuar nga afrimiteti i madh që ekziston ndërmjet kreut të qeverisë me aktorin Gazmend Paja. Në 11 nëntor 2017, Komiteti i Investimeve Strategjike i ktheu pas kompanisë “Startek” kërkesën për të marrë statusin e investitorit strategjik për projektin “Kompleksi Turistik Dhërmi”.
Në dokumentin e nënshkruar nga zëvendëskryeministrja e kohës, Senida Mesi, i kërkohej kompanisë që të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm. Kërkesa për “investitor strategjik” përsëritet dy vjet më pas. Kësaj radhe, “Startek” ishte bashkuar me shoqërinë “Ekotek Energy Services”. Kjo kompani e dytë është themeluar nga Alket Cakaj në vitin 2016. Cakaj rezulton një mik i afërt i aktorit Gazmend Paja. Madje, të dy së bashku kanë bërë një dalje publike në vitin 2018, në një emision gatimi në “Tv Klan”.
Në maj 2019, Alket Cakaj i shet kompaninë “Ekotek Energy” mikut të tij, Gazmend Paja, ndërkohë që vijon të mbajë postin e administratorit. Pas këtij transaksioni, “Ekotek” e Pajës dhe shoqëria “Startek” i drejtohen Komitetit të Investimeve Strategjike për të marrë statusin e investitorit strategjik për “Kompleksi Turistik Dhërmi”.
Tre muaj më pas, në 2 shtator 2019, kërkesa rezulton e suksesshme dhe projekti fiton statusin e investitorit strategjik, kësaj radhe me firmën e Edi Ramës. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me sipërfaqe truall 133.000 m2 në Zonën Kadastrale 1481, në Himarë. Vlera e investimit të projektit “Dhërmi Resort” parashikohet të jetë afërsisht 13,8 milionë Euro.