Prishja e raporteve në mes presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Jashtme Donika Gërvalla, tashmë është bërë publike. Madje dyshja ‘rugoviane’ kanë nisur të ‘disiraten’ keq. Falë këngëve të Dafina Zeqiri ato po i përcjellin mesazhe njëra-tjetrës. (Ashtu qysh kanë nisur, urojmë të mos arrijnë në nivelin e ‘beef-ave’ të rep artistëve të njohur botëror Kendrick dhe Drake).
Ishte Donika Gërvalla e para ajo që nisi ta thumboj presidenten Vjosa Osmani. Ndërkohë e njëjta e lartësoi deri në qiell kryeministrin Albin Kurti. E quajti ‘super-star’.
Në koncertin që u mbajt të martën në sheshin “Skënderbeu”, Gërvalla u paraqit pas këngëtares Dafina Zeqiri.
“Pasi Dafina e këndoi këngën e presidentes llafe-llafe dëgjuam kryeministrin dhe mesazhin e tij, më mbetet të ju falënderoj nga zemra”, deklaroi Gërvalla, përcjell Insajderi.
Ky thumb erdhi për Osmanin pasi e njëjta ishte deklaruar më herët se i pëlqen kjo këngë.
Një ditë më vonë në një konferencë për media, Osmani gjeti momentin dhe ia ktheu ‘disin’ Gërvallës.
“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani.
Ndërkohë, Osmani e bëri të ditur se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti nuk erdhi në takimin konsultativ për datën e zgjedhjeve.
Ajo pretendoi se Kurti është në zyrë dhe i sugjeroi gazetarët të shkojnë ta pyesin pse nuk mori pjesë.
E pyetur pse nuk e pranoi Glauk Konjufcën si nënkryetar i VV’së, Osmani tha se nuk deshi t’i thyente parimet. /Insajderi.org