
Ditë më parë në një park publik në lagjen Arbëria, qytetarët raportuan se pishat e mbjella aty ishin tharë rreth 100 sosh, e për Gazetën Metro kanë folur nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje.
Donika Çeta e cila udhëheq me Drejtorinë e Parqeve në Komunën e Prishtinës në një përgjigje për Gazetën Metro për këtë çështje, tha se, në atë lagje është duke e hartuar një plan i veçantë.
“Jemi duke zhvilluar koncept planin për sipërfaqen e shkallëve të Arbërisë, së shpejti pritet fillimi i realizimit të popullimit të sipërfaqes me drunj dhe shkurre”, tha ajo për redaksinë tonë.
Ndërsa sa i përket vyshkjes së shumë trupave të pishave në lagjën Arbëria, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se shpesh ndodh që të dështojnë një sasi e caktuar e mbjelljeve.
“Shpesh ndodhë që toka të jetë e papërshtatshme, janë të ndjeshme në sëmundje apo ujitja e pamjaftueshme. Sipas grupit menaxhues profesional mendohet që gjithmonë duhet të pritet që 30% e sasisë së furnizimit janë të predisponuara të thahen, asnjëherë nuk pritet që të gjitha të jenë të shëndosha dhe të rriten”, u shpreh ajo.