Shpesh ka pasur raportime nëpër media për punësime të familjarëve gjatë Qeverisë Kurti, raportime të cilat pothuajse gjithmonë janë mohuar nga pushteti.
Mbrëmë në emisionin “Pressing” të T7 zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, e pranon se motra e tij është e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë.
Në një moment, Burim Ramadani iu drejtua dy mysafirëve duke iu thënë se janë shokë, e më pas e pyeti Pecin nëse ka ndonjë familjar të Gashanit të punësuar në ministrinë që ai e udhëheq.
“Nuk e di”, ishte përgjigja e Pecit, por vetë Gashani e pranoi.
“Po, është në vitin 2022, motra ime ka hyrë në projekt, jo direkt. Por, me projekt”, ka thënë Gashani.
Ramadani më pas vijoi duke e pyetur nëse motra e Gashanit është pranuar si zyrtare e arkivës.
Gashani e pohoi dhe shtoi se motra e tij “nuk është duke shkuar fshehur në punë”.
Pastaj ministri Peci shtroi pyetjen se a është pranuar motra e Gashanit përmes konkursit publik.
“A është konkursi publik?”, tha ai.
Peci iu përgjigj pyetjes së Ramadanit se a janë shokë partie. “Po more, shokë”, tha Peci.
“Mos më thuaj që nuk e ke dit”, iu drejtua Ramadani Pecit.
“Jo për besë unë nuk e kam ditë, unë nuk e kam ditë”, tha Peci e pastaj e pyeti Gashanin se çfarë mbiemri ka motra e tij.
“Berisha”, u përgjigj Gashani.
“E okej, për qata më ka ikë, nuk e pasna ditë”, tha Peci, teksa Gashani ia aprovon fjalët duke thënë “absolutisht”.
Më pas, Burim Ramadani bëri një “konstatim”.
“Ju jeni edhe bashkëpartiakë edhe shokë. Një familjare e zv/ministrit është punësuar në Ministrinë e Faton Pecit”, tha Ramadani.
“Pyetja ime është a ka konkurs publik dhe cili kriter është thyer në proces të rekrutimit”, tha Peci.
Më pas Peci i kërkoi që “të rikthehet” te një temë tjetër.