Zëdhënësja politike e LDK’së, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës dhe prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
Halimi tha se Kosovës “çdo ditë po i mbyllet një derë”.
“Si në opozitë ashtu edhe në qeveri, prosperimi i vendit nuk ka qenë dhe nuk është prioriteti i Kurtit, por vetëm pushteti ideologjik i tij – pa zgjedhë mjete – edhe përmes fake news, dhunës dhe popullizmit”,ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje, Halimi tha se nga moskoordinimi me aleatët do të shkojmë drejtë izolimit.
Postimi i saj i plotë:
Kosovës që i duhej perspektivë e qartë e afirmimit ndërkombëtar, çdo ditë po i mbyllet një derë, derisa Albin Kurti dhe garnitura e tij qeverisëse po na thonë se masat e BE-së janë të padrejta.
Por në këtë situatë, kur Kosova po vihet nën masa kufizimi, fare nuk ka rëndësi aspekti moral i çështjes, se kush ka të drejtë!?
Si në opozitë ashtu edhe në qeveri, prosperimi i vendit nuk ka qenë dhe nuk është prioriteti i Kurtit, por vetëm pushteti ideologjik i tij – pa zgjedhë mjete – edhe përmes fake news, dhunës dhe popullizmit.
Nga moskoordinimi me aleatët, në përshkallëzim e sanksione e drejt izolimit.
Kjo është fotografia aktuale e vendit tonë: I vetmi shtet evropian nën sanksione!
Krejt dhe drejt …autoritarizmit!