Siguria në Amerikë është e lidhur me myslimanët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Siguria në Amerikë është e lidhur me myslimanët

    Insajderi
    10 April 2016 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari i sigurisë kombëtare Jeh Johnson bëri thirrje për bashkëpunim me komunitetin e myslimanëve amerikanë, gjatë një fjalimi në një simpozium për “Përballimin e Ekstremizmit të Dhunshëm”.

    Ai bëri thirrje për bashkëpunim dhe ndërtim urash komunikimi, duke thënë se komunitetet e amerikanëve myslimanë nuk duhet të përgojohen dhe izolohen.

    Sulmi terrorist në Bruksel muajin e kaluar ka ringjallur debatin rreth mënyrave për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që disa kandidatë republikanë për president kanë bërë thirrje për mbikëqyrje të lagjeve të amerikanëve myslimanë.

    Por, Sekretari i Sigurisë Jeh Johnson thotë se ky propozim nuk reflekton realitetin:

    “Nuk mund të vëzhgohet qoftë edhe një lagje e vetme për të mbikëqyrur myslimanët amerikanë, megjithë këtë retorikë të nxehur politike”.

    Megjithëse sulmi vitin e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë risolli sërish shqetësimin për terrorizmin e kultivuar brenda vendit, zoti Johnson tha se përpjekjet e Departamentit të Sigurisë për të parandaluar sulme të tjera janë ndihmuar nga bashkëpunimi me komunitetin mysliman.

    “Shumica dërrmuese e amerikanëve myslimanë, ku përfshihen edhe ata që shërbejnë në forcat tona të armatosura dhe në qeveri, janë njerëz patriotë të përkushtuar, të cilët e duan këtë vend dhe dëshirojnë të ndihmojnë sigurinë publike, pasi ky është edhe atdheu i tyre”, tha Sekretari Johnson.

    Zoti Johnson hodhi poshtë aludimet se përpjekjet e Departamentit të Sigurisë kanë objektiv kryesor amerikanët myslimanë:

    “Shteti Islamik, që është ndoshta organizata më e dukshme dhe më e rrezikshme me të cilën përballemi tani, është duke shënjestruar myslimanët amerikanë. Duhet të reagojmë duke e zmbrapsur këtë përpjekje si një çështje me rëndësi për sigurinë kombëtare.”

    Zoti Johnson e përfundoi fjalimin me një thirrje për bashkëpunim dhe ndërtim urash komunikimi, duke thënë se komunitetet e amerikanëve myslimanë nuk duhet të përgojohen dhe izolohen./VOA

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark