1 milion vaksina kineze Coronavac të prodhuara nga kompania kineze Sinovac janë siguruar nga marrëveshja me distributorin turk, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi.
Sipas Ramës brenda 60 ditësh do sillen në vendin tonë gjysmë milioni, duke theksuar se Shqipëria do t’ia dalë në përballimin e kësaj pandemie.
“Stamboll – Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera Kontraktuam për momentin gjysmë milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë . Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama u nis një ditë më parë drejt Turqisë për të realizuar marrëveshjen e sigurimit të vaksinave nga kompania kineze.
Ai tha ditën e djeshme se me to do të fillohet vaksinimi masiv i qytetarëve duke nisur nga të moshuarit.
Në vendin tonë deri më tani janë vaksinuar 53,992 persona përfshire personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit e pedagogët, pa përfshirë ditën e sotme.
Ndërsa në total janë kryer 539,438 testime totale, janë 122,295 raste pozitive, ndër ta 32,931 janë raste akoma aktive. Deri më tani janë shëruar 87,193 dhe kanë humbur jetën 2171 qytetarë, pa llogaritur 24 orët e fundit.
Procesi i vaksinimit në vend vijon që prej 11 janarit në vendin tonë në qendra të vaksinimit dhe shkolla. Qytetarët shqiptarë deri më tani po imunizohen me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe së fundmi edhe me Coronavac.