Simiq i gëzohet ardhjes së Todosijeviqit në Qeverinë e Kosovës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Simiq i gëzohet ardhjes së Todosijeviqit në Qeverinë e Kosovës

    Insajderi
    22 April 2017 - 13:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka mirëpritur emërimin e Ivan Todosijeviq nga ana e kryeministrit Isa Mustafa në pozitën e ministrit për Administratë dhe Pushtet Lokal, duke thënë se në të njëjtin moment ai ka hequr dorë nga organi i përkohshëm, përkatësisht postit të kryetarit paralel të komunës se Zveçanit.

    “Jam i sigurt se Ivan Todosijeviq do të sjell energji dhe tempo të punës në ministri, por edhe punë kualitative në kapacitetin e tij të plotë. Gëzohem se Ivan ka ardhur në këtë pozitë, pasi është kompetent për pozitën e ministrit dhe për këtë shpresoj se do të punojë në vendosjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të ministrisë me vetëqeverisjen lokale në Kosovë”, ka thënë Simiq.

    Ai me këtë rast ka bërë të ditur se Todosijeviq ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të organit të përkohshëm, në të njëjtën kohë kur ishte emëruar në postin e ministrit, andaj kërkon që të mos spekulime në këtë aspekt, pasi sipas tij, “Todosijeviq është përgjegjës ndaj pozitës të cilën e ka marrë”, ka thënë Simiq.

    Kryeministri Isa Mustafa kohë më parë ka emëruar Ivan Todosijeviqin për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal, pozitë kjo e mbetur bosh që pas dorëheqjes enigmatike të ministres Mirjana Jevtiq, pak ditë pas emërimit.

    Ministri i ri që është propozuar nga Lista Serbe është kuadër i partisë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiqit, njëherësh kryetar paralel i komunës se Zveçanit, i cili njihet dhe si një nga iniciatorët e ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit”, që çoi jo pak pluhur në vend.

    Se ministri i ri Todosijeviq është dhe një tjetër serb i deleguar nga Vuçiç për të punuar për Serbinë dhe se nuk i njeh institucionet kosovare, pasi e njeh vetëm si “Kosovo Metohi”, e dëshmojnë  dhe dy deklarata të dhëna nga ai vitin e kaluar ku flet për ndërtimin e lagjes së ashtuquajtur “Lugina e Diellit”.

    “Gurthemeli është vënë dhe së shpejti do të fillohet ndërtimin. Nëse do të kishte vullnet të mirë Prishtina në mënyrë të papengueshme do të lëshonte lejet e tilla nga pala kosovare. Është vetëm çështja e vullnetit të mirë të Prishtinës, por jemi dëshmitarë të këtyre 17 viteve të fundit, Prishtina në asnjë moment nuk ka treguar vullnetin e mirë për të ndihmuar kthimin e popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi”, tha Todosijeviq, duke akuzuar autoritetet qendrore në Prishtinë, për siç tha, tentim për të penguar procesin e nisur.

    Ndërsa, më 17 korrik të vitit 2016, si kryetar  i të ashtuquajturit “organ i përkohshëm” në Zveçan, tha se falë Serbisë po realizohen projekte si “Lugina e Diellit”, sanatoriumi “Rajska banja”, dhe ujësjellësi rajonal.

    Ndryshe, mediat serbe kanë raportuar se në zgjedhjet lokale në Kosovë, Todosijeviq ka qenë kandidat për kryetar të Zveçanit, por shumë shpejt e tërhoqi kandidaturën.

    Todosijeviq ka qenë edhe drejtor në Ndërmarrjen Publike Komunale në Zveçan.(rtklive)

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark