Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar pardje për shpalljen e grevës së përgjithshme nga 25 gushti.
Sipas kryetarit, Atdhe Hykolli, greva do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat e tyre, siç është edhe ajo e 100 eurove shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Këtë kërkesë në mbledhjen e BSPK-së e ka shprehur edhe Rrahman Jasharaj, i Sindikatës së Arsimit, i cili ka ftuar institucionet e vendit që të jenë të hapura në arritjen e një marrëveshjeje, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, kundër kësaj greve ka dalë Sindikata e Mjekëve të Kosovës. Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar vetë drejtuesja Tevide Imeri, e cila ka treguar edhe arsyet e mospjesëmarrjes.
“Në takimin që e kemi mbajtut në kuadër të BSPK-së, aty ku jemi prezent 9 ose 11 sindikata gjithsej, 3 kanë qenë pro grevës, na tjerat kundër – për arsye se kërkesa e SBASHK-ut, ka qenë për 100 euro deri në implementim e Ligjit për Pagat”, ka thënë Imeri për Gazetën Insajderi.
Ajo ka treguar se punëtorët shëndetësorë i marrin 60 euro shtesë, dhe sipas saj për 40 euro të tjera në mënyrë që të bëhen 100, kanë refuzuar të futen në grevë.
“Plus Ligji për Pagat pretendohet se në shtator do të vjen në parlament, siç e patë që erdhi në Qeveri, dhe të shohim pastaj”, ka thënë tutje Imeri, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Kryetarja e Sindikatës, ka zbuluar që pasi ta shohin saktësisht çfarë do të përfshijë Ligji i Pagave, dhe nëse do të jenë të pakënaqur, atë herë do të protestojnë në formën e tyre.
“Në qoftëse me të vërtetë jemi të pakënaqur sigurisht që ne grevën e kemi të vetmen armë që luftojmë për të drejtën e punëtorëve”, tha ajo për Gazetën Insajderi, duke ritheksuar se “për momentin s’e kemi pa të arsyeshme të jemi në grevë”.
Në të kaluarën, Sindikata e Mjekëve të Kosovës, e ka ngritur zërin për shumë çështje, duke mbajtur edhe greva disa javore, ndërsa tash – kur numër i madh i mjekëve e kanë lënë Kosovën, dhe kur në diskutim është Ligji i Pagave – e njëjta është duke heshtur, madje ka refuzuar të jetë edhe pjesë e grevës së përgjithshme të BPSK-së./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: