Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me rastin e sulmeve kundrejt policisë së Kosovës në veri.
Përmes një komunikate për media, Sindikata e Policisë ka falënderuar zyrtarët policor për guximin e treguar gjatë detyrës, ku edhe kanë rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të vendit ku edhe sot është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e tyre”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, në komunikatë thuhet se kjo pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve. Gjithashtu kanë ftuar institucionet e vendit që të reflektojnë e sidomos me rastin e fundit që ndodhi, duke përmendur edhe sigurimin shëndetësorë.
“Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës. Sindikata e Policisë së Kosovës është aktivisht duke punuar dhe ka dhënë alternativa për plotësimin e kushteve të lartcekura dhe konkretisht për Sigurimin shëndetësor dhe jetësor”, thuhet në komunikatë.
Komunikatë për media:
a Sindikata e Policisë së Kosovës falënderon Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e incidenteve dhe sulmeve kundër Policisë së Kosovës të cilat kanë ndodhur ditëve të fundit në veri të vendit ku edhe sot është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e tyre. Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen e që kjo e pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policor që gjatë kryerjes së detyrave zyrtare sipas ligjit dhe autorizimeve e kanë përditshmëri gjatë 24 orë në ditë. Rast konkret është edhe rasti i datës 14.04.2022, zjarri që ndodhi në një objekt banimi në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë, në të cilin rast Policët si çdo herë reaguan të parët në vendin e ngjarjes duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre për të shpëtuar jetën e banorëve që gjendeshin brenda banesës derisa ishte e përfshirë nga flaka dhe tymi. Këto janë rastet më të freskëta që Institucionet e Republikës së Kosovës t’a kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që t’a përmirësojnë mirëqenien dhe ti plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës. Sindikata e Policisë së Kosovës është aktivisht duke punuar dhe ka dhënë alternativa për plotësimin e kushteve të lartcekura dhe konkretisht për Sigurimin shëndetësor dhe jetësor.