Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka mirëpritur dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekaj nga pozita e drejtorit gjeneral të mediumit publik.
Sindikata thekson se “gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të mandatit të tij, z. Ahmetxhekaj ka dështuar pothuajse në të gjitha fushat”.
“Ai ka dështuar të krijojë një ekip menaxherial profesional dhe me integritet, duke zgjedhur persona të dëshmuar për veprime joetike dhe antiligjore. Së bashku me vartësin e tij, Arsim Halili, kanë persekutuar punëtorët përmes proceseve tendencioze dhe të montuara, për të cilat RTK është gjobitur nga Inspektorati i Punës me 30 mijë euro,” thuhet në reagimin e sindikatës.
Sindikata pohon se “e vetmja punë e mirë e Ahmetxhekaj gjatë këtyre dy viteve ka qenë dorëheqja”.
“Ahmetxhekaj ka dështuar të krijojë raporte korrekte me Sindikatën, duke e degraduar për pesë shkallë dhe duke nxjerrë nga zyra kryetarin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, veprim për të cilin ishte gjobitur me 3 mijë euro nga Inspektorati i Punës. Ai ka dështuar të realizojë reformën organizative aq shumë të nevojshme në Transmetuesin Publik. Gjithashtu, ka dështuar të rregullojë çështjen e pronës dhe financimit të pavarur për RTK. Më e rëndësishmja, ka dështuar të krijojë një ambient motivues dhe bashkëpunues brenda RTK-së,” thuhet në reagim.
Pas dorëheqjes, Ahmetxhekaj shkroi në Facebook se ka pasur presion politik.