
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar të martën se “menaxhmenti i RTK-së ka manipuluar me opinionin publik duke proklamuar se ka arritur të nënshkruajë Marrëveshje të re Kolektive, për gjoja, avancimin e të drejtave të të punësuarve ne RTK.”
“Për hir të informimit të drejtë të publikut, Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) sqaron se nuk është pjesë e kësaj marrëveshje, e cila ka më pak të drejta se aktualja dhe nuk jep zgjidhje për shumë çështje që kanë të bëjnë me të punësuarit në RTK”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.
Sipas tyre, me këtë dokument marrëveshje nuk zgjidhet problemi shumëvjeçar i dhjetëra të punësuarve, të cilët padrejtësisht vazhdojnë të mos kenë kontratë të rregullt pune, edhe pse në takim me ta, ky menaxhment u kishte premtuar zgjidhje të shpejtë të çështjes së tyre.
“Në anën tjetër, janë bërë punësime pa konkurse përfshirë familjarë të menaxhmentit dhe të politikës”.
Sindikata insiston se përfaqëson shumicën e të punësuarve në RTK, është nënshkruese e Marreveshjes Kolektive të vitit 2007 “dhe çdo ndryshim pa pajtimin e saj është i kundërligjshëm”.
“SPRTK kërkon nga Menaxhmenti, që të heq dorë nga veprimet kundërligjore dhe manipulative , të dëmshme për Transmetusin Publik dhe mirëqenien e punëtorëve. Megjithë skandalet e njëpasnjëshme të këtij Menaxhmneti, ku njëri ndër ta ishte edhe tentim largimi nga puna i dy drejtuesve sindikalë, SPRTK ka ofruar gatishmëri bashkëpunimi për tema që lidhen me interesin e RTK-së”.
Për më shumë se një vit, ky Menaxhment nuk ka rivendosur komunikimin me të zgjedhurit e shumicës së të punësuarve në RTK. Madje nuk ka qenë i gatshëm, diskutimet për Kontratën e re Kolektive t’i realizojë në prani të të punësuarve, thuhet në komunikatë.