Sindikata fton prokurorinë t’i hetojë disa parregullsi në RTK – Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Sindikata fton prokurorinë t’i hetojë disa parregullsi në RTK

    Insajderi
    29 June 2023 - 09:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sindikata e Pavarur e RTK-së është shprehur e shqetësuar me të gjeturat e Auditorit Gjeneral për RTK-në.

    Në të gjeturat që janë publikuar të martën ndër të tjera sipas Sindikatës, shpërfaqet gjendja alarmante të keq-menaxhimit me paranë publike në RTK.

    “Raporti i ZKA-së shpërfaq atë për të cilën kishte alarmuar me kohë Sindikata, se drejtuesit e RTK-së po ju shërbejnë interesave vetiake dhe klanore”, thuhet në reagimin e Sindikatës së RTK-së.

    Sindikata e RTK-së ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të vihet në lëvizje, pas këtyre gjetjeve.

    Gjetjet e ZKA-së ndërlidhen me tenderët njëburimor dhe kontratat e kundërligjshme, transmeton Paparaci.

    “GJETJET E ZKA-SË – Tenderë një burimor – Blerja e shërbimeve duke anashkaluar procedurat e prokurimit -Lidhja e kontratave në kundërshtim me ligjin e Prokurimit Publik;  -Mos zbatimi i standardeve te përcaktuara nga KRPP (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik); -Afati dhe kushtet e pagesës janë përcaktuar sipas kerkesës së operatorit ekonomik;  -Moskërkimi i garancionit për performancen e ekzekutimit të kontratave;  -Lidhja e kontratave me negocim të njëanshëm bazuar në kushtet e vendosura nga operatori ekonomik; -Prokurimi i shërbimeve jashtë planit të prokurimit; -Prokurimi i shërbimeve jashtë projeksionit buxhetor; Bëhet fjalë pēr rreth gjysmē milioni euro blerje. Sipas ZKA-së këto veprime dëmtojnë konkurencën, transparencën e procesit si dhe rrisin rrezikun për mos arritjen e vlerës për paranë e shpenzuar”.

    “Tutje, në raport përfshihen: – Avancimet në pozita në kundërshtim me rregulloret; – Mos zbatimi i vendimit të Bordit për pezullimin e shpërblimeve dhe shtesave jashtë pagës;  ZKA ka konstatuar se RTK ka paguar përmes autorizimeve të vecanta persona të caktuar në pozita të cilat nuk janë në rregulloren “Metodologjia e Përcaktimit të Ndërlikueshëmrisë së vendeve të Punës”.

    Sindikata thotë se “sipas ZKA-së, kostoja për pagesat shtesë për vetëm tre persona ishte 6419 euro”.

    Ata thonë se “njëri prej tyre është drejtori aktual i RTK – Radios, Arsim Halili i cili para se të emërohej në pozitën e drejtorit, përmes një autorizimi të veçantë ishte paguar 1404 euro në muaj për një pozitë e cila nuk figuron në rregulloren “Metodologjia e Përcaktimt të Ndërlikueshmërisë së vendeve të Punës””.

    “Rregullore kjo ku janë të përfshira të gjitha pozitat në RTK përfshirë klasën dhe koeficientin e pagesēs. Po ashtu sa i përket zbatimit të rekomandimeve të ZKA-së, prej 17 vetëm 10 janë zbatuar. Gjithashtu vlen te theksohet se në raport RTK vleresohet me Opinion te Kualifikuar që zakonisht u jepet subjekteve që nuk arrijnë t’i kenë pasqyrat financiare sipas standardeve minimale tē kërkuara”, vijon kumtesa e sindikatës.

    “Sindikata e Pavarur e RTK-së fton prokurorinë që t’i hetojë të gjitha parregullsitë e konstatuara në raportin e Auditorit gjeneral. Ndërsa Kuvendi i Kosovës, përkatësisht komisionet përkatëse, ai për Buxhet si dhe ai për Media t’i thërrasin në përgjegjësi drejtuesit e RTK-së”, thuhet në reagimin e Sindikatës së RTK-së.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark