Policia e Kosovës kapi 400 kilogram kokainë në një konteiner me mish që vinte nga Brazili. Siç raporton gazetarja Xhensila Kodra për abcnews.al, bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s amerikane, të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.
Krahas DEA-s, në operacion janë përfshirë pala italiane, si vendi ku konteineri bëri tranzitin për në Shqipëri, pala shqiptare si edhe policia e Kosovës pasi u zbulua se cili do të ishte destinacioni final i tij. Më pas konteineri u ngarkua në kamionin me targa 01 263 OD.
Operacioni
Autoritetet shqiptare kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.
Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës në Lipjan.
Dy ngarkesa të tjera
Policia shqiptare kishte dy muaj që priste ngarkesën kolosale të kokainës dhe ndërkohë që kjo ndodhte në portin e Durrësit janë sekuestruar edhe dy ngarkesa të tjera më lëndë narkotike të tjera. Gjithçka ndodhi teksa pritej sasia e madhe dhe dy operacionet e mëparshme kanë qenë të rastësishme, pa informacion nga jashtë.
Sasitë e bllokuara janë 142 kilogram kokainë në datën 10 prill dhe 49 kilogram të tjera u kapën më datë 1 prill.