Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, ka thënë se duhet të ketë marrëdhënie të shkëlqyeshme ndëretnike në Kosovë, ndërsa ka ndarë përvojën e tij gjatë takimit që ka pasur me qytetarët serbë
Hargreaves ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e shkurtit do të ishte shumë pozitive.
“Kam pasur mundësi që të vizitoj disa herë këtë vit veriun e Mitrovicës. Mendoj që është shumë e dobishme që të kuptoj dhe dëgjoj shpresat dhe aspiratat nga vetë njerëzit këtu. Disa politikanë që i takuam shpresonin se do të marrin pjesë në zgjedhje e shkurtit. Natyrisht ne e mbështesim shumë këtë, kjo do të ishte shumë pozitive”, ka thënë ambasadori britanik.
Ai ka thënë se tensionet në veri duhet të menaxhohen me ndjeshmëri dhe kujdes, duke theksuar se janë në dijeni për ngjarjet që po ndodhin në këtë pjesë.
“Është kohë e vështirë, e dijmë këtë. Çdo ditë ka gjëra që ndodhin dhe duhet të menaxhohen me kujdes dhe me ndjeshmëri”, ka thënë Hargreaves.
E për situatën e sigurisë në veri, ambasadori Hargreaves pati edhe sugjerime për institucionet.
Hargreaves ka thënë se institucionet dhe Policia e Kosovës duhet t’u përmbahen rregullave dhe proceseve, duke i respektuar të drejtat e gjithëve.
“Qartazi ka çështje që vihen në pah here pas here për mënyrën se si po bëhet ndarja e sigurisë këtu, administrimi dhe është me rëndësi që institucionet e Kosovës, Policia e Kosovës të sillen në mënyrën e duhur se si janë trajnuar për të bërë, në mënyrë që i respekton të drejtat e të gjithëve dhe i mbron njerëzit”, ka thënë ambasadori britanik, i cili ka theksuar se kanë një proces për të menaxhuar situatën e sigurisë, për çka sipas tij, institucionet duhet t’i përmbahen.
Ambasadori britanik ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ngecur dhe se nuk ka ndonjë zhvilllim, por megjithatë, ai ka theksuar se përpjekjet për avancim të raporteve mes të dy paleve nuk do të ndalen derisa të ketë përparim në këtë drejtim.
“Nuk është fshehtësi që momentalisht dialogu nuk po ec aspak, as shpejt e as pozitivisht siç kemi shpresuar dhe do të dëshironim. Vazhdojmë që t’i nxisim të dy palët që të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë energjike që të shkohet deri në fazën e ardhshme”, ka thënë ai derisa ka përkrahur idenë për një dialog lokal mes shqiptarëve dhe serbëve.
Hargreaves në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të zgjidhte shumë çështje të rëndësishme, ndërsa ka theksuar se qeveria duhet ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Hargreaves, asociacioni do të ishte mënyra më e mirë që shumë çështje të vështira të zgjidhen.
“Ka ende çështje të cilat duhet të trajtohen në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe nëse ato qartësohen deri në fund në kontekstin e dialogut, mendoj se shumë prej tyre do të trajtoheshin edhe përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Hargreaves.
I pyetur për sulmin në Banjskë, Hargreaves ka thënë se situata në Banjskë ishte shumë serioze, teksa ka theksuar se presin arrestimin e Radojçiqit.
“Situata në Banjskë ishte sulm serioz, një situate shumë serioze. Ende po kërkojmë që zoti Radojçiq të jape llogari për këtë”, ka thënë Hargreaves.
Derisa ka kërkuar avancim në dialog, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se vend i tij ka marrëdhënie të veçantë me Kosovën, duke thënë se e mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Qeveria ime në veçanti është e interesuar për Kosovën. E kemi një rekord të gjatë, një marrëdhënie të veçantë me këtë vend. Ka shumë përkushtim, zotim, energji në Mbretërinë e Bashkuar ndaj Kosovës”, ka thënë ambasadori britanik.
Ndryshe, në raportin e progresit gjihtashtu është thënë se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin. /Gazeta10/