Pas situatës së krijuar në Veri të vendit edhe kryeprokurori, Blerim Isufaj sot është takuar me përfaqësues të Task Forcës Britaneze të KFOR-it, shkruan Insajderi.
Nga ky takim u tha se Forcat Britaneze të KFOR-it janë shprehur të gatshëm për të siguruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, ndërkohë që po vazhdojnë të monitorojmë nga afër situatën e sigurisë, si dhe kanë ofruar bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
“Kryeprokurori Isufaj dhe përfaqësues të Task Forcës Britaneze të KFOR-it, gjatë takimit të sotëm kanë biseduar për nevojën e koordinimit në mes të institucioneve të sigurisë në vend, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të takimeve të përbashkëta për funksionimin, punën dhe angazhimin e institucionit të Prokurorisë Speciale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Në anën tjetër, kryeprokurori Isufaj ka theksuar përkushtimin për të koordinuar veprimet institucionale që garantojnë sundimin e rendit dhe ligjit.
“Me këtë rast Isufaj, ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për angazhimin e vazhdueshëm të Task Forcës Britaneze të KFOR-it, si dhe i falënderoi për kontributin e tyre në forcimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”.