Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takime me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, shefin e Misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.
Me të gjitha palët, Presidentja Osmani ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në vend. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk është duke e provokuar situatën e sigurisë, përveçse duke zbatuar ligjin, teksa Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ajo ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës, e cila po dëshmon profesionalizëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia është burim i destabilizimit në rajon, duke ftuar Bashkësinë ndërkombëtare t`i kundërvihet përpjekjes së tillë, sikurse edhe diskursit nxitës, i cili burimin nuk e ka vetëm në Serbi, por edhe në Rusi.