E ardhmja e Hungarisë në krye të presidencës së Bashkimit Europian është e pasigurt. Kjo pasi një grup vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe vendet baltike po shqyrtojnë mundësinë e nisjes së një iniciative për heqjen e presidencës së radhës të BE-së nga Hungaria, nëse Viktor Orban vazhdon me të ashtuquajturat “misionet e tij paqeruajtëse” dhe pa asnjë koordinim me institucionet evropiane dhe qeveritë e shteteve anëtare. Lajmet janë konfirmuar nga prestigjiozja Politico dhe mediat gjermane.
“Diplomacia paralele e Orbanit ndërkohë që ai mban presidencën e rradhës – thotë një diplomat evropian – është një poshtërim për BE-në, sepse ngatërron rolet dhe kërcënon vendosmërinë dhe unitetin e treguar deri më tani nga Evropa në kundërshtimin e synimeve të politikave ekspansioniste të Putinit dhe mbështetjes për Kievin”. “Nuk është parë kurrë – shton një tjetër – që një president aktual të shkojë nëpër botë duke thënë gjëra, qoftë edhe në cilësinë personale, në kundërshtim total me vendimet e Bashkimit Evropian”.
Që kur mori drejtimin e BE-së më 1 korrik, Orban ka nisur një sërë udhëtimesh, që synojnë, sipas tij, promovimin e një armëpushimi në Ukrainë, gjë që i ka lënë të gjithë të habitur.
Mbi të gjitha vizita në Moskë, ku Putin e priti me krahë hapur, por duke i thënë qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kushtet e tij për një negocim të mundshëm.
Hipoteza e heqjes së presidencës nga Budapesti në mënyrë të parakohshme, mbetet një skenar i fundit, absolutisht i paprecedentë në historinë e Unionit. Por vetë fakti që përmendet dëshmon rëndësinë e situatës.
Në nivel procedural, kjo është e vështirë por jo e pamundur: në fakt, do të nevojitej një shumicë e kualifikuar prej katër të pestat në Këshill, pra njëzet vende që përfaqësojnë së bashku të paktën 65% të popullsisë evropiane, për të vendosur t’i jepet fund një presidence të radhës, duke e transferuar atë në vendin tjetër, që në këtë rast është Polonia.