
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes Duda Balje, e cila sot konfirmoi publikisht se i është ofruar një pozitë si profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit.
Balje deklaroi para seancës se nuk e ka pranuar ofertën dhe se nuk do të bëhej pjesë e një “pazari politik”, duke ngritur kështu dyshime për presione apo përpjekje për ndikim në procesin e votimit.
Në lidhje me këtë deklaratë, Donika Gërvalla, e cila është pjesë e Listës së Vetëvendosjes, tha se nuk është në dijeni për një ofertë të tillë dhe mohoi çdo lloj pazari nga ana e subjektit të saj.
“Zonja Balje edhe zotëri Hoxha duhet të heqin dorë nga qasja bllokuese sepse s’jemi këtu në pazar ku shitemi e blihemi. Është çështje parimore konstituimi i Kuvendit. Nuk kam informacione për pazare të kësaj natyre”, deklaroi Gërvalla për media përcjell Insajderi.