I veshur si një punonjës sanitar dhe i hipur në një kamion që mbledh mbeturinat, Donald Trump iu drejtua qytetarëve në shtetin e Uisconsin, duke ironizuar rivalët demokratë që i quajtën “plehra” mbështetësit e tij.
Shfaqja e kandidatit republikan erdhi si përgjigje ndaj një gafe të bërë nga presidenti Joe Biden një natë më parë, i cili tha se ata që votojnë për Trump janë mbeturina.
Por Trump dhe aleatët e tij i shfrytëzuan fjalët e Biden për të argumentuar se kandidatja demokrate Kamala Harris është e pasinqertë në premtimin e saj për të qenë presidente për të gjithë amerikanët.
“Dua ta nis fjalën time duke thënë se amerikanët nuk janë mbeturina. Sepse Biden i quajti mbështetësit tanë të tillë. Por komentet e Joe Biden janë rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të Kamalas për të portretizuar si të këqij të gjithë ata që nuk votojnë për të. Dhe ne e dimë se kjo është me të vërtetë ajo që ata besojnë, sepse shikoni se si ju kanë trajtuar. Ata ju trajtojnë si mbeturina, me të gjitha gjërat e tmerrshme që kanë bërë për të dëmtuar vendin tonë”, tha Trump.
Nga ana tjetër Kamala Harris, vazhdoi fushatën në Karolinën e Veriut ku i bëri thirrje votuesve që të zgjedhin një fillim të ri duke “e mbyllur kapitullin” për kandidatin republikan.
“Ai është i fokusuar tek ankesat e tij, në vend të nevojave të amerikanëve. Nëse ai zgjidhet, në ditën e parë, Donald Trump-i do të hyjë në atë zyrë me një listë armiqsh. Kur të zgjidhem, unë do të hyj me një listë detyrash”, u shpreh Harris.
Gara në Amerikë është bërë edhe më e ashpër në javën e saj të fundit para votimeve të 5 nëntorit.