Rreth 4 mijë e 300 persona pritet të angazhohen për nisjen e regjistrimit të popullësisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë. Pavarësisisht se pritej që gjatë këtij viti të nis procesi i regjistrimit të popullësisë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë të paktën deri pranverën e vitit të ardhshëm.
Ligji për regjistrimin e popullsisë në Kosovë është aprovuar në Kuvend në muajin korrik në lexim të dytë, por sipas drejtorit të statistikave të popullsisë në Agjenci të Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, është një afat të paktën prej nëntë muajsh që të hyj në fuqi ligji për të nisur ky proces.
“Në bazë të ligjit që është aprovuar në Kuvend, është i përcaktuar një nen që e bënë të qartë se regjistrimi i popullsisë bëhet 9 muaj pasi të hynë në fuqi ky ligj. Edhe ne shpresojmë që vitin e ardhshëm, në pranverë të bëhet regjistrimi në terren dhe njëkohësisht të publikohen të dhënat preliminare, kryesore ashtu siç janë të parapara në ligj”, tha Kastrati.
Megjithëkëtë, ende mbetet e paqartë se kur saktësisht nisë ky proces, pasi që një datë e saktë ende nuk është caktuar.
“Sipas ligjit datën e nisjes së Regjistrimit (në terren) e përcakton Qeveria e Kosovës. Ende nuk është marrë vendimi”, tha Avni Kastrati për Insajderi.
Ai tha se do të propozojnë disa data se kur do të jenë më të arsyeshme për nisur punën në terren.
“Ne do t’i dërgojmë dy tre propozime për datën se si, secila ka përparësi dhe mangësi, dhe në diskutim me qeverinë do të shikojmë se cila është më optimale, por gjithsesi se unë mendoj do të jetë prapë pranvera e vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Kastrati.
I pyetur se deri ku kanë shkuar përgatitje, Kastrati ka deklaruar se një pjesë e madhe e punës është e lidhur me datën se kur do të caktohet.
“Shumë aktivitete për staf shtesë dhe shërbime e pajisje janë te ndërlidhura me datën, që kërkohet angazhim maksimal, pasi janë shumë aktivitete, përfshirë fushatën, që zhvillohen në të njëjtën kohë”.
“Sfidë mbetet procedimi i aktiviteteve në kohë dhe angazhimi i stafit (mbikëqyrësve dhe regjistruesve)”, tha më tej Kastrati.
https://ask.rks-gov.net/media/2074/te-dhenat-kryesore.pdf
Regjistrimi i fundit ishte bërë në vitin 2011, sipas së cilit Kosova kishte 1 milionë e 800 mijë banorë. Por në regjistrimin e kaluar, nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi kishin refuzuar këtë process atë kohë.
Por, kësaj radhe pritet që kjo të ndodhë. Kastrati i ASK-së tha se do ta aplikojnë metodën e njëjtë sikurse edhe me pjesët tjera.
“Sikurse në pjesët e tjera, edhe në atë pjesë, ASK-ja do ta aplikojë metodën e njëjtë dhe do të zhvillojë takime paraprake. Pritjet janë që edhe ajo pjesë të jetë e përfshirë në regjistrim”, tha Kastrati.
Regjistrimi i popullësisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë do të përfshijë grumbullimin e të dhënave nga terreni ndërsa ato do të kategorizohen në të dhënat për individ dhe të dhëna për ekonomitë familjare.
Tek të dhënat për individ do të mblidhen informacionet që lidhen me adresa-vendbanimi rezident, të dhënat demografike, të dhënat mbi migrimin, niveli i shkollimit, punësimi, aftësitë e kufizuara, dhe çështje të tjera sociale dhe ekonomike”.
Derisa kategoria e të dhënave për ekonomitë familjare do të këtë infoamciaonet që lidhen m,e përbërja dhe raportin e anëtarëve në ekonominë familjare, statusi i banimit dhe modalitetet e tjera.
“Të dhënat për banesë dhe ndërtesë: karakteristikat kryesore të banesës, ose ndërtesës, përfshirë statusin e banesës, pronësinë, numrin e dhomave dhe pajisjet e tjera të infrastrukturës për banesë/ndërtesë”.
ASK në shtator të 2021 kishte kërkuar që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për muajin prill të vitit 2022, por që as në këtë pranverë nuk ndodhi kjo për shkak të zgjedhjeve lokale dhe pandemisë COVID-19.
Bie numri i popullësisë në Kosovë – shkak edhe migrimi
Për dallim prej shifrave të popullësisë që kishte dal në regjistrimin e vitit 2011, ky numër ka shkuar duke rënë.
Sipas shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në janar të vitit 2021, popullsia e përgjithshme rezidente në Kosovë ka qenë 1,798,188 banorë.
Njëra nga arsyet, del të jetë edhe largimi i madh i qytetarëve në vendet everopiane, e sidomos në Gjermani me kontrata pune.
Sipas të dhënave të ASK-së del se numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2020, ishte gjithsej 8,724 persona apo 0.49% e popullsisë rezidente. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët pa marrë parasysh arsyen e migrimit dhe statusin e tyre (të rregullt dhe të parregullt).
Ky numër është regjistruar në vitin e pandemisë, por dy vite më heret sipas statistikave të ASK-së ka qenë edhe më i madh.
Në vitin 2019 rreth 35 mijë ndërsa një vit më herët 28 mijë qyatarë që janë larguar.
Një numër i madh janë liruar edhe nga Shtetësia e Kosovës. Në vitin 2020, kanë parashtruar kërkesë për lirim të shtetësisë së Republikës së Kosovës 3,557 persona, ndërsa 3,633 persona janë liruar nga shtetësia, si dhe 37 janë refuzuar për mos plotësimin e kritereve ligjore.
Krahasimi i të dhënave të viteve 2019/2020 tregon se në vitin 2020 ka një rënie të vendimeve pozitive prej -33% poashtu rënie të vendimeve negative prej -45%.
Sipas shteteve në vitin 2020, personat të cilët janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës, 84%(3,044) janë nga Gjermania, 11.6% (422) nga Austria, 2% (71) nga Sllovenia dhe 2.64% (96) nga shtetet e tjera.
Gjatë periudhës 2018-2020, janë liruar nga shtetësia 14,490 persona, ku dominon gjinia mashkullore me 52% (7,506) krahasuar me gjininë femërore 48% (6,984). /Gazeta Insajderi