Të arrestuarit për dyshimin e kultivimit të një plantacioni të kanabisit në Klinë janë deklaruar sot para gjykatës. Gzim, Faik dhe Selim Gashi kanë folur për përgjegjësitë familjare dhe mungesën e kujdesit për fëmijët dhe të afërmit e sëmurë në rast të mungesës së tyre, shkruan Insajderi.
Gjatë seancës, Gzim Gashi deklaroi se është i gatshëm të respektojë masën e arrestit shtëpiak nëse gjykata vendos kështu, duke shtuar se prania e tij pranë fëmijëve është e domosdoshme, pasi nuk ka kush të kujdeset për ta.
Ai siguroi gjithashtu se do t’i përmbahet çdo thirrjeje nga organet e drejtësisë.
I pandehuri tjetër, Faik Gashi, theksoi në deklaratën e tij se krahas mbështetjes ndaj avokatit të tij, ai ka përgjegjësinë e kujdesit për një vëlla të sëmurë dhe se nuk ka kush tjetër që mund ta përmbushë këtë rol.
Selim Gashi, një nga të arrestuarit e tjerë, po ashtu e mbështeti deklaratën e avokatit të tij, duke përmendur se ai është prindi i gjashtë fëmijëve dhe se ata mbeten pa përkujdesje nëse ai largohet nga shtëpia.
Ai u shpreh se në momentin që është arrestuar, dera e shtëpisë së tij është mbyllur, duke lënë fëmijët në një situatë të pasigurt.
Avokati i Selim Gashit, Granit Cenaj, kundërshtoi kërkesën për masën e paraburgimit, duke theksuar se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë masë.
Pavarësisht deklarimit të tyre, Gjykata Themelore në Pejë sot ua caktoi të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaj. Gzim, Selim dhe Faik Gashi do të qëndrojnë prapa grilave deri me 29-30 nëntor.
Lidhur me rastin Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht, duke sjellur edhe pamje nga momenti i arrestimit.
Të tre kanë qenë në arrati për disa muaj lidhur me mbjelljen e një plantacioni marihuanë në Klinë.
Janë kapur dje dhe sot nga Policia dhe Prokuroria e Pejës.
Çka thuhet në dosjen e prokurorisë?
Në dosjen e Prokurorisë për rastin e madh të plantacionit të drogës në Klinë, i cili po udhëhiqet nga prokurori Ersan Qavolli, bëhet e ditur se Gzim dhe Faik Gashi kishin marrë një shtëpi me qira dhe s’e kishin ndërmend të dorëzoheshin.
“Po ashtu referuar faktit se të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi nga momenti i kryerjes së veprës penale, ani pse kanë qenë në dijeni se janë në kërkim nga organet e hetuesisë ata prapë se prapë arratisen. Të pandehurit Gzim dhe Faik qëndrojnë në arrati deri me datën 30.10.2024 kur pas një pune të shkëlqyer të Policisë së Kosovës, Njësitit për hetimin me narkotik në Pejë dhe institucioneve tjera relevante janë arrestuar në një shtëpi të cilën e kishin marrë me qira dhe kjo rrjedhimisht nënkupton se ata nuk e kishin fare në plan për tu dorëzuar. Po ashtu i pandehuri Selim Gashi qëndron në arrati deri me datën 31.10.2024 kur edhe arrestohet nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Klinë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Insajderi.
Prokurori Qavolli në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për pasojë, kërkon që të vendoset masa e paraburgimit meqë ekziston rreziku real për arratisje.
Në arsyetimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit bëhet e ditur se gjatë momentit të arrestimit, Gzim Gashi dje e ka thyer telefonin në mënyrë që të pamundësojë ekzeminimin e telefonit të tij.
“Do të ekzaminohet telefoni i të pandehurit Gzim Gashi e të cilin e ka thyer në momentin e arrestimit dhe këtë e ka bërë pikërisht që të pamundësojë ekzaminimin e tij ngase aty sigurisht se ka prova tjera të shumta. Do të ekzaminohen provat e sekuestruara nga vendi i ngjarjes dhe provat tjera materiale“.
Prokuroria bën të ditur se ende nuk dihet vendndodhja e njërit nga të kërkuarit, Albion Kalemi.
Prokurori Qavolli në përpilimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit përkujton edhe dosjen e trashë kriminale të tre të dyshuarve që sapo janë kapur nga njësiti kundër drogës në Pejë.
“I pandehuri Faik Gashi është i njohur për organet policore sepse nga data baza policore rezulton se i njëjti në dy raste është si i dyshuar dhe atë në rastin për vepër penale falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 i KPRK-së dhe rasti për vepër penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 i KPRK-së.
Po ashtu i pandehuri Gzim Gashi referuar data bazës të Policisë së Kosovës është i përfshirë në 67 raste penale si i dyshuar, ndërsa bazuar në ekstraktin mbi dënimet penale, kundër tij janë nxjerr 22 aktgjykime të formës së prerë.
I pandehuri Selim Gashi referuar data bazë së Policisë së Kosovës është i dyshuar në 9 raste penale. Po ashtu është i njohur për organet e drejtësisë sepse i njëjti në bazë të ekstraktit mbi dënimet penal është i dënuar me dy aktgjykime të formës së prerë”, thuhet në caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit“, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë së Pejës.
Gzim dhe Faik Gashi javë më parë kanë kërcënuar edhe prokurorin e këtij rasti, Ersan Qavolli.
Prokurori për Insajderin dje ka thënë se njësiti për hetimin e trafikimit me narkotik në Pejë në bashkëpunim me njësitë tjera policore FIT, Fast Kosova dhe AKI, ishin të angazhuar intensivisht për kapjen e tre të dyshuarve./GazetaInsajderi