Hidrologu i Lartë në Institutin e Hidrometeorologjisë të Kosovës, Bashkim Kastrati, ka sqaruar paralajmërimin e lëshuar nga ky institut për rrezik për vërshime të shpejta në regjionin e Prishtinës.
Kastrati në një prononcim për Insajderin ka thënë se ekziston një rrezik i ulët, ndoshta mesatar i përmbytjeve. Ai sqaroi se përmbytje lumore nuk të ketë për shkak të nivelit të ulët të lumenjve, mirëpo përroskat rrezikojnë përmbyjet.
“Është regjioni i Prishtinës dhe janë gjasat në një zonë të caktume si total kur ta merr… Por nuk është e shkallës së madhe, është e periudhave kthyese pesë-vjeçare. Na e bëjmë zakonisht për t’i informuar institucionet për t’i ngritur pak masat. Ekziston rrezik i nivelit të ulët, ndoshta mesatar i përmbytjeve. Përmbytje lumore nuk ka, lumenjtë nuk kanë me pasë vërshime”, ka thënë ai për Insajderin.
“Në qito pjesë që e kemi parashiku mundet me pasë vërshime të shpejta prej këtyre përroskave. Natyrisht kur është intensiteti i lartë i reshjeve, potencialisht nëpër zonat apo shpatitë malore të ekspozume më shumë prej reshjeve, mund me pasë ndonjë rrëshqitje”, shtoi tutje ai.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar rrezik për mundësi të vërshimeve të shpejta.
Në bazë të disa të dhënave të prezantuara në formë tabele në ‘Facebook’, IHMK thotë se probabiliteti për tejkalim të periudhës së kthimit të përmbytjeve pesë vjeçare është 35 për qind.
Ndërkaq, mundësia për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare është 15 për qind.
Zonat e prekura të ndjeshme nga rrëshqitjet janë: Shumë e lartë 6 km katrorë, e lartë: 72 km katrorë dhe e moderuar 312 km katrorë.
Përgjatë ditës së sotme është paralajmëruar edhe një erë e fuqishme në nivel vendi. /Insajderi.org/