“S’ka përparim”- Ambasadori gjerman “flakareshë” narracionit të VV’së për luftimin e korrupsionit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “S’ka përparim”- Ambasadori gjerman “flakareshë” narracionit të VV’së për luftimin e korrupsionit

    Insajderi
    31 January 2024 - 10:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka ritheksuar shqetësimin e tij për ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor.

    Rohde këto deklarata i ka bërë në platformën ‘X’, teksa ka komentuar rezultatet e Transparency International për përceptimin e indeksit të korrupsionit, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Progres në Kosovë me zgjedhje 👍🏽 por shqetësime për ndërhyrjen e vazhdueshme të qeverisë në gjyqësor👎🏽. Përfundimi i Transpareny International për Kosovën: ndryshe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nuk ka përparim në renditje. Më shumë ambicie është e mundur dhe e pritshme!”, ka shkruar ai.

    Transparency International ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës gjatë vitit që shkoi ka ndërhyrë vazhdimisht në gjyqësor dhe se nuk ka pasur vullnet politik “për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”.

    Kosova është vlerësuar me 41 pikë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, pa pasur një progres në krahasim me vitet e kaluara.

    Rohde në vazhdimësi ka ritheksuar ndërhyrjet e pushtetit në gjyqësor.

    Gjatë ditës së djeshme, përkundër që Kosova për kah luftimi i korrupsionit rangohet njëjtë me disa shtete afrikane të pakonsoliduara në aspektin demokratik, Vetëvendosja në faqen zyrtare ka insistuar se po luftohet korrupsioni.

    Në një reagim zyrtar në profilin e tyre, sipas Vetëvendosjes korrupsioni ka arritur të luftohet nga Qeveria Kurti.

    “14 shkurti 2021 është momenti i pikëprerjes së qartë me të kaluarën e mendësisë dhe veprimit korruptiv në qeverisje. Qeverisja e re ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të udhëhiqet pa korrupsion dhe ky fenomen mund të luftohet”, u tha në reagimin e tyre.

    Ata kanë përmendur edhe nisjen e procesit të vettingut dhe atë të Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si formë e luftimit të korrupsionit. Megjithatë, në planprogramin e tyre qeverisës përbrenda katër vitesh është paraparë finalizimi i të dyjave.

    “Dy procese tejet të rëndësishme janë inciuar nga Qeveria Kurti në drejtim të luftimit të pakompromist të krimit dhe korrupsionit, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Vettingu. Me këto procese sistemi i drejtësisë do të rilegjitimohej e kështu krimi dhe korrupsioni do të luftohej edhe më shumë, ashtu siç me të drejtë kërkojmë dhe ashtu siç me të drejtë presim”, vijon reagimi i partisë në pushtet.

    “Në këto 3 vite të qeverisjes Kosova ka avansuar për 21 vende në luftën ndaj këtyre fenomeneve të këqija, por imagjinoni ku do të jemi si shtet pas aktivizimit të Byrosë dhe procesit të Vettingut. Shumë më mirë.”.

    Nga ajo çfarë thuhet në tabelën e prezantuar nga Transparency International, Kosova që nga 2019’a s’ka lëvizur rezultatin vlerësues në luftën drejt korrupsionit.

    Vendin e 83-të këtë vit, Kosova në matjet e fundit e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark