Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, ka njoftuar se është liruar nga të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara në Hagë, shkruan Insajderi.
Buja përmes një shkrimi në Facebook, bëri të ditur se pas një procesi hetimor pesëvjeçar, që nisi në vitin 2019, u arrit vendimi përfundimtar për mbylljen e hetimeve për mungesë provash.
Ai e cilësoi lirimin e tij si një “fitore të madhe dhe të rëndësishme”, duke theksuar se vendimi vërteton pafajësinë e tij, si dhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.
“Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në menyrë zyrtare”, tha mes tjerash Buja.
Ai falënderoi avokatët e tij, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, për përkushtimin e tyre në përmbylljen e procesit, si dhe familjen dhe qytetarët që e mbështetën gjatë këtij procesi të gjatë.
“Shpresoj që rasti im të kontribuojë për drejtësi në proceset e bashkëluftëtarëve tanë që ende gjenden në Hagë dhe që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë,” shkroi ish-komandanti.
Buja ditët e fundit ishte shfaqë edhe në seanca publike ku u mor në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit.
/Insajderi