
Një aksident i ndodhur në mëngjes në aksin rrugor Prishtinë-Fushë Kosovë, për pak sa nuk e ka mbytur një foshnjë disa muajsh e cila ende është në gjendje të rëndë.
“Është e lënduar seriozisht ku është konstatuar lëndimi kafkës, pra frakturë në kafkë dhe ka gjakderdhje në tru dhe është në neurokirurgji”, ka thënë mjeku përgjegjës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Foshnja e cila ka qenë në krahët e një gruaje që pretendohet të jetë e ëma e saj, e komunitetit rom e cila po qëndronte ulur tek semaforët në rrugën në drejtim të Fushë Kosovës, më saktësisht tek kryqëzimi i rrugës për te tregu i veturave në Zonën Industriale.
Foshnja sipas dëshmitarëve është përplasur në asfalt pasi gruaja që po e mbante është goditur nga veturat e përfshira në aksident.
Aksidenti ka ndodhur pasi një veturë e tipit Jeep, si pasojë e shpejtësisë ka goditur tri vetura të ndalura në semaforin e kuq. Aq shpejtësi e madhe ka qenë saqë vetura që ka aksidentuar ato të parkuara, ka përfunduar mbi to.
Si pasojë kanë mbetur të lënduar gjithsejtë 10 persona.
Prania e grave që së bashku me foshnje ulen skaj rrugës, sidomos afër semaforëve në këtë aks rrugor është e madhe. Është edhe një numër i madh i fëmijëve të cilët qëndrojnë gjithashtu në këto akse rruge duke punuar si pastrues të xhamave të veturave.
Shumica e femrave apo nënave që dalin të kërkojnë lëmoshë nëpër akse të rrugëve në të cilën vozitet me shpejtësi të madhe bashkë me fëmijët e tjerë janë banor të komunitetit rom, që banojnë në rrethinë të kryeqytetit dhe në Fushë Kosovë.
Gjendja e tyre ekonomike llogaritet si një prej më të vështirave në Kosovë. Madje në një raport të gazetës amerikane “The New York Times” i publikuar dy ditë para 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve në Kosovë, Organizata e Kombeve të Bashkuara mund të përballet me një proces dëmshpërblimi ndaj këtij komuniteti, që për vite të tëra e kishte lënë të jetonte në kampe pa kushte jetese