Pa sigurim shëndetësor, pa ligj të pagave, pa ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare, pa shujtë ditore, pa uniformë e antiplumba të skaduar, Policët e Kosovës po përballen edhe me mungesë të respektit dhe DINJITETIT si policë. Me kushte tmerrësisht skandaloze, me të cilat nuk mund ta mbrojnë as pragun e shtëpisë së tyre, ata po japin maksimumin për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës. Insajderi ka bërë një hulumtim rreth kushteve që kanë aktualisht policët në Kosovë e për të cilat ka folur kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, eksperti i sigurisë Drizan Shala dhe një zyrtar policor.
Shteti i Kosovës nuk po arrin t’u plotësoj kushtet elementare Policisë së Kosovës. Që nga paslufta policët vazhdimisht janë përballur me mungesa që nga uniforma e deri tek respekti për punën që bëjnë. Pavarësisht kësaj, ata po punojnë. Kryetari i Sindikatës së Policëve tregon për Insajdern problemet themelore që kanë zyrtarët policorë.
Pa sigurim shëndetësor, pa ligj të pagave, pa ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare, pa shujtë ditore etj. Këta janë tregues të mjaftueshëm që tregojnë se si është gjendja aktuale e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, thotë kryetari.
Ai tregon se policët punojnë edhe me antiplumba me afat të skaduar. Krejt këto sipas tij janë për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së.
“Policët kanë mungesë të veshmbathjeve si çizmet, një pjesë e uniformës, antiplumbat me afat të skaduar. Këto për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së”, u shpreh Zeqiri.
Si po ndikojnë këto probleme në punën e policëve
Një zyrtar policorë i gjeneratës së re ( emër i njohur për redaksinë) ka rrëfyer për Insajderin se si është të punosh si polic e mos të kesh as uniformë.
B.K, dukë lënë anash mungesat elementare, thotë se shumë herë përballen edhe me ofendime nga qytetarët.
“Po, plot herë edhe na ofendojnë. Po pavarësisht kësaj ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë”, thotë ai.
E mungesa e kushteve, thotë ai që ndikon për të keq ne deponimin në punë.
“Krejt këto, mungesa e shujtës, sigurimit shëndetësor, ligji për paga, sigurimit të transportit e shpesh herë edhe uniformës, ndikon për të keq në punën tonë”, tha ai për Insajderin.
Cilat janë kërkesat e policëve drejtura sindikatës
Kryetari i sindikatës së Policëve të Kosovës, Imer Zeqiri tregon se si janë mbi 25 projekte që kanë mbetur pa u realizua për shkak të bordit të OSHP-së i cili nuk po emërohet.
“Disa rajone kanë probleme me udhëtim për shkak se nuk kanë transport të siguruar. Çdo mungesë e pajisjeve apo uniformës paraqet vështirësi në kryerjen e detyrave të caktuara sipas ligjit dhe autorizimeve policore” thotë ai.
Kërkesat e policëve janë të shpeshta thotë Zeqiri dhe sipas tij nuk ka ndonjë evidencë të saktë se sa janë.
Mungesa e Sigurimit Shëndetësor
Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, janë 21 policë të vrarë gjatë detyrës zyrtare dhe mbi 400 policë të lënduar.
Nuk janë të ralla rastet kur në aksione u rrezikohet jeta. Por, pavarësisht kësaj, edhe 23 vjet pas përfundimit të luftës, policët kosovarë nuk gëzojnë sigurim shëndetësor.
Kryetari i sindikatës thotë se nuk ka gjasa që të behët shpejt ligji për sigurime shëndetësore, por ai thotë se si sindikatë kanë kërkuar që të realizohet një sigurim alternativ për të gjithë pjesëtarët e Policisë.
“Për sigurimin shëndetësor nuk ka gjasa që të bëhet shpejt me ligj, kurse ne Sindikata jemi duke kërkuar realizimin e një sigurimi alternativ për të gjithë pjestarët e Policisë, përmes Byros Kosovare të Sigurimeve, nëse Qeveria na përgjigjet me mjete financiare?! Kjo mund të bëhet me teeth 5 milion në vit e që është shumë e nevojshme krahasuar me specifikat e punës me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën e policëve si dhe duke krahasuar se asnjë shtet në botë nuk e ka policinë pa sigurim shëndetësor”, thotë Zeqiri.
Mungesa e uniformës, shujtes e transportit
Për mungesën e uniformës për zyrtarët policorë është informuar edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili e ka paraqitur si shqetësim edhe para komisionit parlamentar.
Lidhur për këtë, ka folur edhe kryetari i sindikatës. Ai tregon se policët punojnë edhe me antiplumba me afat të skaduar. Krejt këto sipas tij janë për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së.
“Policët kanë mungesë të veshmbathjeve si çizmet, një pjesë e uniformës, antiplumbat me afat të skaduar. Këto për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së”, u shpreh Zeqiri.
Policia e Kosovës nuk marrin shujtë, përjashtuar këtu Njësinë Speciale Operative.
“Disa rajone kanë probleme me udhëtim për shkak se nuk kanë transport të siguruar. Çdo mungesë e pajisjeve apo uniformës paraqet vështirësi në kryerjen e detyrave të caktuara sipas ligjit dhe autorizimeve policore” thotë ai.
Policët e Kosovës po lëshojnë vendin, sipas statistikave janë 1108 pjesëtarë që kanë dhënë dorëheqje
Është në rritje numri i policëve që kanë dorëzuar dorëheqjen nga policia dhe janë në pritje të vizave për të lëshuar vendin.
“Kemi informacione të pakonfirmuara se shumë zyrtarë policor kanë aplikuar për viza, disa për viza pune e disa për viza turistike dhe pasiqë kjo nuk bëhet publike as nga individët dhe as nga ambasadat, nuk mund ta dimë sa është numri i tyre”, thotë kryetari i sindikatës Zeqiri.
Mendimi i sindikatës është se, shumica e atyre që japin dorëheqje nga policia, janë pagat e ulëta dhe puna e rrezikshme si dhe kërkimi i një jete më të mirë.
“Prej formimit të Policisë së Kosovës, dorëheqje vullnetare kanë dhënë 1108 pjesëtar të Policisë, nuk kemi ndonjë statistikë të saktë për kohët e fundit por vërehet se është në rritje dhe nëse nuk realizohen disa kërkesa apo nuk krijohen kushte më të mira do të kemi vazhdimisht dorëheqje”, tha ai.
Ligji për pagat
Ligji i ri për paga ende nuk është implementuar. Por në projektligjin e propozuar për pagat e policët janë të papranueshme për sindikatën.
Zeqiri thotë se janë duke pritur finalizimin e pagave për të parë nëse është bërë ndonjë ndryshim pozitiv.
“Sa i përket koeficientëve që janë paraqitur gjatë projektimit të ligjit të pagave, për ne janë të papranueshëm. Jemi duke prit finalizimin e ligjit të pagave dhe nëse nuk është bërë ndonjë ndryshim pozitiv, do t’a kundërshtojmë”, u shpreh Zeqiri.
Sipas Draftligjit të ri të pagave, një kopje të të cilave e kishte siguruar Insajderi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës do të ketë koeficientin 14. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm, sipas këtij draftligji do ta ketë koeficientin 12.6 apo 1512 euro. Drejtor i departamentit në Policinë e Kosovës do ta ketë 11 koeficientin, apo 1320 euro.Policët në gradën kolonel do ta kenë pagën 1176 euro, apo koeficientin 9.8.Nënkoloneli do ta ketë pagën 1020 euro ose koeficientin 8.5. Majori do ta ketë koeficientin 8 apo 960 euro në muaj. Kapiteni do ta ketë koeficientin 7, ose 840 euro pagën mujore. Togeri do ta ketë pagën 768 euro ose koeficientin 6.4. Rreshteri do ta ketë koeficientin 4.8 apo 576 euro. Polic i lartë 4.3 ose 516 euro, dhe polici 4.2 apo 504 euro. Polici i ri e ka koeficientin 4 ose pagën 480 euro. Dhe polici kadet e ka koeficientin 2 ose 240 euro pagë.
Diçka e re. Policet janë duke u ballafaquar edhe me një element më të rëndësishëm i cili është respektimi i dinjitetit si zyrtar të shtetit.
Drizan Shala, njohës i sigurisë në Kosovë thotë për Insajderin se zyrtarët policorë nuk janë duke u respektuar për punën që e bëjnë.
“Policet janë duke u ballafaquar edhe me një element më të rendësishem dhe i cili është respektimi i denitetit si zyrtar të shtetit. Dhe kjo nëpërkembje që ju behet zyrtareve të shtetit është vrejtur që nga faza e themelimit nga SHPK në PK ku i gjithë mekanizmi mbikqyres ju bart institucioneve tonë të Republikes”.
Që atëherë, Shala thotë se (pu)shteti nuk ka ndërmarr veprime në ngritjen e mirëqenies për zyrtaret por ka shfrytëzuar institucionin për të jetësuar agjendat politike “ju shkelur integritetin e zyrtareve të këtij institucioni nga niveli politik por edhe atij menaxherial”.
Sa i përket situatës aktuale, Shala thotë se “mund të themi që i vetmi gjë që ka ndryshuar për institucionin është vetëm menaxhmenti i ri me mendësi të vjetër politike dhe institucionale”.
Sipas tij kushtet më të cilat ballafaqohen zyrtaret janë mizorë sepse ju mungojnë gjana elementare të punës siç janë uniforma dhe pajisjet tjetra të punës.
“Por, në anën tjetër ekziston një vullnet nga këta zyrtar që edhe pavarësisht presioneve të brendshme që ekzistojnë në menaxhment e lartë , këta zyrtar kryejnë punën me devotshmëri sepse ka zyrtar që nëse mirën për baze vendimet e transfereve nga një stacion në tjetrin apo nga një njësi në tjetrin mund të hasni shkelje administrative nga urdhërdhënësit e këtyre vendimeve dhe të cilat mirën vetëm e vetëm për të mbajtur të monopolizuar situatën brenda strukturës se sigurisë se vendit”.
Analisti Shala thotë se me ardhjen e një drejtorit të ri në krye të Policisë mund të filloje të ndryshojë qasjen për të mirën e zyrtareve duke rritur mirëqenien dhe përkujdesjen nga institucioni për zyrtaret.
“Dhe kjo mund të arrihet vetëm ku Policia ta ketë kodin e tyre financiar të ndarë nga MPBAP dhe kështu sigurohet një pavarësi të plotë pa ndikime politike brenda strukturës menaxheriale e cila jo radh here ndikimi politik ka shkuar deri të pjesa e hetimeve duke lënë hapësirë për dëmtim të imazhit dhe punës policore”, u shpreh ai për Insajderin.
Ndërkohë, në kuadër të Policisë së Kosovës deri tani janë mbi 8 mijë e 600 punonjës të uniformuar dhe staf civil, të cilët vijnë nga te gjitha rajonet e Kosovës./Insajderi.org/