×
  • Lajme
  • Lajme

    Skandal me videot e TikTok, ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares Kapedani

    Insajderi
    02 June 2021 - 08:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas skandalit me videot në TikTok të kryegjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin nga detyra të kësaj gjyqtareje për shkelje të rënda.

    Në arsyetimin e kreut të ILD shkruhet se gjyqtarja Kapedani ka diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe për këtë arsye duhet të largohet nga detyra.

    “Kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë krijon bindjen se burimi i informacionit ose ankesa është e besueshme, brenda 3 ditëve nga marrja e ankesës ose nga momenti që ka marrë dijeni për shkeljen e pretenduar, i paraqet Këshillit përkatës raport të arsyetuar, bazuar në faktet dhe provat e mbledhura deri në atë moment për fillimin e një procedimi disiplinor dhe kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra”, shkruhet në njoftimin e ILD, raporton A2.

    Mënyra si duhet të sillen gjyqtarët brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, është formalizuar në një Kod të Etikës Gjyqësore, i miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësore në prill të vitit 2021. Pjesë e tij është edhe parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje.

    Përmes tij gjyqtarëve iu kërkohet të shmangin sjelljet e pahijshme dhe shfaqjen e saj në të gjitha aktivitetet e tyre jetësore. Referuar përmbajtjes së videove të kryegjyqtares së Elbasanit, në rast se janë publikuar prej saj, duhet se janë cenuar së paku dy nga pikat e parimit që kornizon sjelljen e gjyqtarëve.

    Në pikën e tretë të këtij parimi, Kodi Etik Gjyqësor përcakton se gjyqtari nuk lejon që zyra e tij të përdoret për qëllim të tjera të ndryshme nga ato që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore.

    Ndërsa në një pikë tjetër, brenda të njëjtit parim, në Kod nënvizohet se gjyqtari shfaq vetëpërmbajtje në përdorimin e medias dhe rrjeteve sociale.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark