
Para pak ditësh, banorëve të Lagjes ‘Dardania’ në Gjilan u ka ardhur një letër nga Qeveria, konkretisht nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Pushtetit Lokal, ku thuhet se zyrtarisht nuk janë më banorë të Gjilanit, por të Komunës së Novobërdës, shkruan Insajderi.
Kjo nënkupton se për çdo shërbim publik, si dokumentet personale e pronësore, regjistrimin e fëmijëve në shkolla, përfshirjen në lista zgjedhore dhe çdo lidhje tjetër me pushtetin lokal, ata tash e tutje do t’u drejtohen institucioneve të Novobërdës.
Qeveria Kurti e arsyeton këtë veprim si pjesë të implementimit të decentralizimit, por në esencë ky proces ka përfunduar moti.
Ky veprim shihet si një taktikë e pastër politike për të shkëputur një territor me banorë etnik shqiptar dhe për t’ia bashkuar atë Komunës së Novobërdës, që ka pak banorë dhe shumicë serbe.
Me këtë veprim, Vetëvendosje synon ta fitojë këtë komunë në zgjedhjet lokale, përmes kandidatësh që vijnë pikërisht nga lagjja që po shkëputet.
E tmerruar nga ky vendim, Shadie Shkodra, një banore e lagjes ‘Dardania’, ka reaguar ashpër duke thënë se ky është një veprim i papranueshëm që cenon të drejtat e qytetarëve për interesa të pushtetit.
Ajo thotë se kjo lagje po ndahet për qëllime puro politike dhe po ua vështirëson jetën gjilanasve për qëllime partiake e të pushtetit lokal.
“Me qëllime puro politike në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë po shkëputet lagja jonë. Po na hiqet e drejta për të qenë banorë të Gjilanit për të realizuar një qëllim politik. Kjo është e papranueshme dhe ne si banorë nuk do të ndalemi deri në realizimin e plotë të kërkesës sonë. Nuk do të lejojmë ministrin Xhelal Sveçla, por as Ministrinë e Pushtetit Lokal të Elbert Krasniqit, që në kurriz të banorëve të realizojnë qëllime politike, duke synuar të fitojnë një kandidat nga kjo lagje për kryetar të Novobërdës”, ka thënë ajo për Gazetën Metro.
Shkodra paralajmëron se do të ketë protesta dhe se vendimi nuk do të pranohet, pasi, sipas saj, po u çrregullon jetën e përditshme, nga dokumentet, te shkollat e deri te vendet e punës.
“Do të ketë protesta dhe nuk do ta prabojmë këtë vendim që na e çrregulloj jetën, dokumentet, shkollat dhe vendet e punës. Kjo është inxhiniering politik i paparë deri tash dhe nuk tolerohet më. Decentralizimi ka përfunduar moti, dhe Pavarësia është fituar para 17 vjetësh. Çka është kjo lojë me qytetarë të Gjilanit sot? S’jemi kukulla që për një fitore në komunë t’i bartim shtëpitë tona në një komunë tjetër, vetëm se i konvenon Albin Kurtit”, ka thënë për Metro Shadie Shkodra nga lagjja Dardania.