
Kompania “Bini 2024” Sh.P.K., me pronar Albin Ferati, është ndër subjektet që kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke rrezikuar seriozisht sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve, transmeton Insajderi.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Veriu.info, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) më 28 mars 2025 ka marrë vendim për pezullimin e licencës së kësaj kompanie për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore që rregullojnë trajtimin e kafshëve të importuara për therje. Vendimi është nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i AUV-it, Bekim Hoxha.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se gjatë muajve janar dhe shkurt 2025, “Bini 2024” Sh.P.K. kishte importuar gjithsej 499 krerë kafshë të gjalla për therje, përmes 11 dërgesave. Sipas rregulloreve në fuqi, këto kafshë është dashur të therren brenda një afati maksimal prej 72 orësh nga hyrja në Kosovë dhe të dërgohen drejtpërdrejt në thertore.
Edhe pse kompania kishte nënshkruar kontratë me thertoren “Geberland”, inspektorët e AUV-it kanë konstatuar se asnjë prej kafshëve të importuara nuk ishte therur në këtë objekt. Për më tepër, gjatë inspektimit nuk janë gjetur as kafshë në ambientet e kompanisë apo në stalla, duke ngritur dyshime serioze për fatin e tyre.
“Bini 2024” Sh.P.K. ka paraqitur disa fatura shitjeje për këto kafshë, të lëshuara në emër të personave fizikë pa të dhëna të plota identifikuese, gjë që bie ndesh me rregulloret që kërkojnë dokumentacion të saktë dhe të verifikueshëm për gjurmueshmërinë e kafshëve të importuara për therje.
Megjithatë, pavarësisht vendimit të pezullimit të licencës, Komisioni i Ankesave në kuadër të AUV-it ka pranuar ankesën e kompanisë dhe ka rekomanduar rikthimin e saj në regjistrin e sistemeve zyrtare FCMS dhe TRACES, që praktikisht nënkupton rifitimin e lejes për import të kafshëve të gjalla.