
Një skandal i paprecedent ka ndodhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Pejë, ku stafi i Urgjencës, përfshirë edhe drejtues të lartë institucionalë, janë fotografuar duke festuar brenda ambienteve zyrtare të këtij institucioni publik. Në këtë ngjarje, që sipas burimeve të Insajderit ka ndodhur në muajin shtator, janë parë të pranishëm drejtori komunal i Shëndetësisë, Petrit Loci, si dhe kryeinfermieri i Urgjencës, Damir Turjaka.
Nga një fotografi e siguruar nga Gazeta Insajderi, shihet qartë se në zyrën ku është mbajtur festa gjendet një tavolinë e shtruar me ushqime dhe një shishe e pijeve alkoolike “Jägermeister”, e kamufluar me një ambalazh të Coca-Colës. Në foto, të paktën tre persona shihen me uniforma pune – që nënkupton se ndodheshin në orar zyrtar – duke ngrënë e duke festuar në zyrat e Urgjencës, në katin e parë të objektit të QKMF-së në Pejë.
E gjithë kjo ndodh në një ditë kur në këtë institucion ishte raportuar për një rast tragjik.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, i cili e ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm në vendin ku është realizuar fotografia. Megjithatë, ai ka mohuar se ka qenë pjesë e ndonjë feste.
“Kam qëndruar në objektin e Urgjencës për të marrë informacione nga ekipa kujdestare për një rast tragjik që kishte ndodhur në ato momente në Pejë. Ata më kanë kërkuar të bëjmë një foto bashkë”, deklaroi Loci për Insajderin.
Kryeinfermieri mohon përdorimin e alkoolit, pavarësisht provave në fotografi
Edhe kryeinfermieri i Urgjencës, Damir Turjaka, është deklaruar lidhur me këtë ngjarje. Ai e ka mohuar kategorikisht se është konsumuar alkool gjatë kësaj feste.
“Nuk është e vërtetë që kemi konsumuar alkool. Nuk ka pasur alkool aty”, ka thënë Turjaka, duke shtuar: “Ma jep një dëshmi, le të dalë ndonjëri nga personat prezent që kanë konsumuar alkool – unë jap përgjegjësi për çdo gjë.”
Por fotografia që posedon Insajderi flet ndryshe, shishja e Jägermeister-it, pavarësisht se është përpjekur të fshihet me një ambalazh të Coca-Colës, është lehtësisht e identifikueshme.
/Gazeta Insajderi/