Babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, ka komentuar arratisjen e Enver Sekiraqës pas ndryshimit të masës sigurisë, ku Apeli dy ditë më parë vendosi që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.
Riza në një prononcim për Insajderin ka ngritur dyshime se arratisja e Sekiraqës ka qenë e orkestruar.
“Në fakt me këtë çështje s’kam çka flas unë. Mu s’më përket, të merret sistemi i drejtësisë me këtë punë. Nuk po funksionon mirë sistemi i drejtësisë, sepse qysh është e mundur një njeri kriminel i Kosovës që ka terrorizu krejt shkollat para luftës dhe pas luftës, një njeri që është ngrit… qysh ka guxu as me e gjyku as me e marr fare në pytje. Ata le të merren, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të merren me këtë punë, unë nuk kam çka t’flas ma. Ç’është e vërteta unë kam qenë në seanca shumë i qartë, kam reagu mos me e lëshu, kërkesa ka qenë disa herë e mbrojtjes Sekiraqa që të lëshohet arrest shtëpiak nga paraburgimi. Edhe prokuroria ka reagu, nuk jemi pajtu. Kur një natë papritmas nga mediat e pashë e kanë lëshu. Gjykata, vjen vendimi që ta lëshon dhe kjo ka qenë krejt e pakuptimtë. Prandaj ndodhi edhe arratisja, kjo është si me qenë një skenar i bëmë, s’ka shpjegim ndryshe”, ka deklaruar ai.
“Kërkush s’m ka kontaktu, veç përmes mediave në të gjitha anët janë interesu dhe po më vjen keq që kanë met vetëm mediat me e senzibilu këtë punë, përndryshe kërkush s’po lodhet. Edhe shoqëria civile ka reagu, në të vetmit kam besim në ju, s’m ka met kërkun më. Kërkun s’po kam besim më. 17 vjet me zgjat gjykimi, her 25 vjet, her 12 vjet i ulet edhe prapë iu ka ikë. Është një skenar i bëmë, qikaq s’kam çka me thënë më shumë”, ka thënë ndër të tjera babai i Triumf Rizës.
Ditën e diel, Policia e Kosovës konfirmoi se Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, është në arrati.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi”, thuhej në njoftim.
“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës. /Insajderi.org/