
Kompania “AgroDardania” Sh.P.K. nga Peja ka importuar në mënyrë të paligjshme 26 tonë misër merkantil të bardhë në Kosovë, edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e pati ndaluar më 24 janar për shkak të pranisë së Aflatoksinës B1 në nivel 0.047 mg/kg, mbi kufirin e lejuar.
Veriu.info ka siguruar vendimin e AUV mbi refuzimin e importit të nxjerrë më datë 24 janar 2025, me të cilin ka obliguar agjentin doganor dhe Doganën e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi, më saktësisht për mos lejimin e hyrjes në Kosovë të kësaj ngarkese me misër.
Kjo pasi që në bazë të raportit të testimit të mallit, kishin dalë rezultate që kjo sasi misri kishte parametra të Aflatoksinës B1 0.047 mg/kg, gjë që ishte mbi nivelin e lejuar, një përbërës ky që paraqet rrezik të madh për kancer në mëlqi.
Në vendimin e AUV thuhet se produkte të tilla konsiderohen të pasigurta për konsumim njerëzor dhe nuk lejohen të importohen.
“AgroDardania” Sh.P.K. këtë sasi misri e kishte blerë në kompaninë “Alba Grain DOO” në Beograd, përderisa e ka importuar në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare, që po del të jetë import ilegal.
Në dokumentet e blerjes së miellit në Beograd të lëshuar nga kompania shitëse për kompaninë nga Peja “AgroDardania” Sh.P.K., ky qytet i Kosovës shkruhet si “Peç”, që duket se nuk e ka penguar Imer Jusajn ta blej mallin.
Në një prononcim për Veriu.info, pronari i “AgroDardania” Sh.P.K., Imer Jusaj, i cili ka thënë se edhe përkundër vendimit të AUV ngarkesën e ka future në depon e tij, edhe pse i ndalohej rreptësisht futja në Kosovë.
Ai thotë se askush nuk e ka ndaluar dhe rezultatet i kanë ardhur pas futjes në Kosovë.
Për rastin është kontaktuar edhe AUV, por që nuk kanë kthyer përgjigje.
Përndryshe, nga të dhënat lehtë të verifikueshme në internet, del se rreziqet kur aflatoksina gjendet në misër mbi limite janë:
1) Toksicitet akut – Dëmtim serioz i mëlçisë, helmim me simptoma si të vjella, dhimbje barku, dhe në raste ekstreme vdekje.
2) Kancerogjenitet – Rrit shumë rrezikun për kancer të mëlçisë (hepatokarcinomë).
3) Dobësim i sistemit imunitar – Bën trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera.
4) Probleme zhvillimore – Tek fëmijët, shkakton vonesa në rritje dhe zhvillim.
5) Efekte kronike – Konsumimi i aflatoksinës gjatë periudhave të gjata mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme në organe, sidomos në mëlçi.