Ministria e Infrastrukturës nuk ka marrë përgjegjësi për mosbllokimin e user-ve prej nga janë transferuar 2 milionë e 77 mijë euro, në kompaninë “LDA Group”.
Dy milionë e 77 mijë euro në mënyrë ilegale ishin transferuar më 9 tetor, nga Thesari Shtetit në llogarinë e kompanisë private “LDA Group” SH.P.K, pronë e Valon dhe Kadri Shalës.
Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 330 mijë euro; 375 mijë euro; 622 mijë euro; 750 mijë euro.
Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, të siguruara nga Gazeta Insajderi ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave. Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.
Insajderin zbulon se Zyrtari Kryesor i Financave, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.
Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të ministrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.
“7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave.
Zyrtari me emrin Fadil Fazliu që nga muaji janar i këtij viti është transferuar në Njësinë e Patentë Shoferëve në Mitrovicë. I njëjti në Ministrinë e Infrastrukturës, ka mbajtur pozitën e zyrtarit certifikues.
Që nga janari kur ai ka nisur punën në Mitrovicë, user-i i tij, prej të cilit do të duhej të certifikoheshin pagesat nuk është bllokuar edhe pas nëntë muajsh.
“Kjo çështje do të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë ndërmarrë veprimet e veta. Kanë me dhanë përgjegjësi”, ka thënë Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyçi, shkruan Gazeta Insajderi.
Ministria e Infrastrukturës është akuzuar mbrëmë nga Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, se nuk e ka njoftuar për rastin.
Ndaj këtyre akuzave nuk ka marrë përgjegjësi as kreu i MI-së, Arban Abrashi.
“Është proces që nuk është në dorën të minsitrisë. Çështja e userave dhe certifikimi i tyre shkon përmes Thesarit, sa e di unë. Është diçka që duhet të hetohet”, ka thënë Abrashi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi.
“Ajo çka kam pyet unë, tash po flas se pse nuk ka ndodh kjo është se nëpër ministri zakonisht është praktikë se i mbajnë 1 ose 2 zyrtarë certifikues në staf, në rast se dikush shkon në pushim e përdorim si alternativë”, ka thënë Abrashi./Insajderi.org
Rreth aferës 2 milionëshe: