Lidhur me skandalin e policisë së Kosovës në Ferizaj, ku arrestoi njeriun e gabuar për sulmin me thikë në këtë qytete, Inspektorati Policor I Kosovës tashmë ka nisur disa hetime.
Insajderi raportoi më herët se IPK-ja tashmë është në fazën e grumbullimit të informacioneve për të zbardhur situatën se si erdhi deri te arrestimi i njeriut të gabuar, derisa i dyshuari tjetër qëndroi afro 24 ore i lirë.
IPK ka konfirmuar për Insajderin nisjen e hetimeve duke specifikuar se kanë kërkuar komplet dosjen e rastit nga policia në Ferizaj.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve për këtë rast. Në kuadër të këtij procesi përveç tjerash IPK ka kërkuar komplet dosjen e rastit nga policia përderisa veprimet tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore”, thuhet në përgjigjen e dhënë Insajderit.