Prokuroria Themelore në Gjakovë ka minimizuar një rast të publikimit të përmbajtjeve eksplicite të një vajze nga një i dyshuar nëpër rrjetet sociale. Më saktësisht, vetëm pas interesimit të Insajderit, nga kjo prokurori kanë njoftuar se kanë filluar ta hetojnë rastin si “Ngacmim”, ndonëse e dyshuara është shantazhuar në vazhdimësi. Insajderi ju sjell historikun e ngjarjes:
Gazeta Insajderi nga burime përbrenda policisë mëson se i dyshuari në vazhdimësi ka shantazhuar vajzën, e cila gjatë kohës sa po kalonte me të dyshuarin ishte në moshë të mitur.
Siç mëson Insajderi, i dyshuari në vazhdimësi ka kërkuar fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite nga viktima. I pandehuri dyshohet se e ka kërcënuar viktimën me fjalët “nëse nuk më dërgon fotografi dhe video do t’i tregoj babës”.
Ai e ka kërcënuar se videot do t’ia publikojë edhe nëse “nuk del me mu ose del me dikë tjetër”.
Për krejt këto informacione, Insajderi iu është drejtuar me pyetje Prokurorisë Themelore në Gjakovë. Të pyetur nëse i dyshuari është i arrestuar apo është lënë i lirë, të njëjtit s’kanë pranuar të përgjigjen veçse kanë treguar se rasti po hetohet si vepër penale “Ngacmimi”.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast për veprën penale “Ngacmimi”. Sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar Insajderit.
Sipas burimeve përbrenda policisë, i dyshuari kur është ftuar për intervistim nga stacioni policor në Gjakovë, ka pranuar se ka kryer veprimet e paligjshme si vijojnë: shantazh, marrëdhënie seksuale me të mitur dhe publikim pa autorizim të materialeve shantazhuese.
As në raportin ditor të Policisë së Kosovës nuk ka pasur ndonjë njoftim për arrestimin e të dyshuarit. /Insajderi.org/