
Korporata Energjetike e Kosovës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strehë të militantëve të pushtetit. Rasti i fundit lidhet me ish-ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Bekir Gërguri, i cili aktualisht mban pozitën e këshilltarit të kryeshefit.
Ai ka siguruar punësim për dy djemtë e tij në të njëjtën ndërmarrje që deri pak muaj më parë vetë e drejtonte.
Lajmin e ka konfirmuar Vetë Gërguri.
“Jo veç djemtë e mi, por secili kur është konkursi i hapur kanë të drejta të barabarta, të gjithë uniform para konkursit. Nuk muj me ia mohu të drejtën as njërit, as tjetrit e kanë fatin e vet, janë madhor prandaj e kane të ardhmen perspektive”, tha Gërguri për Periskopin.
Njëri nga djemtë e Bekir Gërgurit është punësuar si teknik i makinerisë, ndërsa tjetri në pozitën e teknik-ut të kimisë.
Situata bëhet edhe më problematike, pasi kryetar i komisionit që ka përzgjedhur teknikun e kimisë ka qenë Ramadan Sokolin – vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Bylbyl Sokoli.
Ndërkohë, vlen të theksohet se Bekir Gërguri është aktiv edhe në fushatën e kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza.