×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Skandali i Shaqir Totaj”, 14 fshatra në Prizren mbesin pa ujë të pijes- komuna thotë se pritet të rregullohet së shpejti

    Insajderi
    08 August 2024 - 13:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    14 fshatra të komunës së Prizrenit kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Sipas pretendimeve të opozitës kompania kontraktuese ka dëmtuar pellgun ujëmbledhës të burimeve, duke ndikuar në rënien e nivelit të ujit ku pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm. Nga komuna për Insajderin thonë se nuk është faji i kompanisë.

    Gazeta Insajderi

    Në komunën e Prizrenit kanë filluar disa punime për rregullimin e shtratit të lumit, i cili është afër burimit të ujit të pijshëm – Sozi në fshatin Nashec.

    Si pasojë e këtyre punimeve dyshohet se është dëmtuar gypi i ujit ku pretendohet se kanë mbetur pa ujë rreth 14 fshatra të Prizrenit.

    Sipas një reagimi të opozitës, LVV’së në Prizren nga ky dëmtim i pellgut ujëmbledhës të burimeve, duke ndikuar në rënien e nivelit të ujit të pijshëm ku pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm janë fshatrat: Plane, Gorozhup, Mile, Mazrek, Gjonaj, Grazhdanik, Nashec, Tupec, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnjë, Kojush I, Kojush II dhe Landovicë.

    “Skandali i Shaqir Totaj. Njoftoheni me skandalin e radhës të kryetarit Totaj, i cili rrezikon të lë pa ujë të pijshëm 14 fshatra në Komunën e Prizrenit. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren, shpreh shqetësimin e saj ku për arsye të neglizhencës dhe mosseriozitetit të Komunës së Prizrenit, për javë të tëra rrezikojnë të mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm mijëra banorë të këtyre fshatrave të Prizrenit”, thuhet tutje në reagimin e opozitës.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Prizrenit, të cilët kanë treguar se kompania e cila ka qenë duke kryer punimet është “Fortesa SH.P.K – Korishë”.

    Mirëpo sipas komunës nuk ka qenë faji i kompanisë për këto probleme. Tutje thuhet se ky problem pritet të rregullohet së shpejti në koordinim me Hidroregjionin Jugor.

    “Kompania e kontraktuar per punimet ne ketë vend është “Fortesa SH.P.K – Korishë”. Rregullimi i problemit pritet te behet së shpejti ne koordinim me Hidroregjionin Jugor. Ështe e rëndësishme te theksohet se operatori ekonomik i cili është “Fortesa SH.P.K – Korishë” nuk ka qene shkaktar i këtyre problemeve”.

    Tutje në përgjigjen e komunës thuhet se nuk ka asnjë punim mbi gypat e ujit.

    “Problemet para fillimit te punimeve dhe para fazes se hartimit te projektit jane vlerësuar duke u pare nivelin e ujit. Është e rëndësishme te theksohet se punimet qe po zhvillohen nuk i përket vendit te problemeve te gypave te ujit, dhe nuk kemi asnjë punim mbi gypa te ujit”, thuhet në përgjigjen e shefit të kabinetit të kryetarit në Prizren, Nehat Elshani.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe tek kompania Fortesa SH.P.K, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark