Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës hetojnë “Volkswagen”-in dhe “Fiat”-in, në Francë prokurori i Parisit ka nisur një hetim gjyqësor me dyshimin se gjiganti “Renault” mund të ketë bërë mashtrime me ndotjen që shkaktojnë makinat e tij.
Aksionet e “Renault” ranë ndjeshëm pas këtij lajmi, që vjen rreth dy muaj pasi qeveria i kaloi prokurorit rezultatet e një hetimi të kryer nga agjencia për mbrojtjen e konsumatorit.
Që prej 12 janarit, 3 gjykatës po shqyrtojnë çështjen dhe ata do të vendosin nëse hetimi i prokurorit do të pasohet nga një gjyq.
Hetimi francez për motorët “Renault” dhe nëse ata shkelin normat e ndotjes, nisi pasi shpërtheu skandali i “Volkswagen”-it me motorët “Diesel”.
Mediet franceze raportojnë se autoritetet franceze dyshojnë që “Renault” të ketë bërë të njëjtën gjë si “Volkswagen”, pra të ketë përdorur një program kompjuterik që fsheh ndotjen e vërtetë që prodhojnë makinat, duke treguar rezultate të rreme brenda normave.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se, pavarësisht disa kërkesave, përfaqësues të “Renault” nuk ishin të disponueshëm për komente.