
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në prill të këtij viti kishte ndërmarrë masa ndaj 28 operatorëve ekonomikë që importonin kafshë të gjalla për therje, pas mospërputhjes së gjendjes në terren me ato që po raportonin në sistemin FCMS. Sidoqoftë, një deklaratë nën betim dhe premtim që kjo s’do të ndodhë më kurrë i ka bindur AUV-in që t’ua rikthejë licencat disa prej tyre. Në mesin e tyre është edhe “Luka Company”, me pronar Arif Spahiun. Gazeta Insajderi ju sjell detaje:
Inspektorati veterinar kufitar kishte vërejtur se që nga 1 janari e deri më 10 shkurt të këtij viti, kompania importuese e kafshëve të gjalla “LUKA COMPANY” ka importuar gjashtë dërgesa në total prej 241 krerë gjedhesh, me kushtin që të theren brenda 72 orëve në një thertore të licencuar.
Megjithatë, AUV’i kishte vërejtur se në thertoren e licencuar “KUALITET ET SH.P.K” me të cilën kishte kontratë “LUKA COMPANY” s’ishte therur asnjë krerë gjedhe e importuar, teksa në thertore të tjera janë raportuar vetëm dy krerë gjedhe të therura.
LEXO EDHE:
Kështu të paktën thuhet në arsyetimin e vendimit të AUV-it për pezullimin e licencës për importimin e kafshëve për “LUKA COMPANY”, të cilin Gazeta Insajderi e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike.
“Në total nga kafshët e importuara prej 241 krerë janë therur vetëm 2 krerë që nënkuptohet se 239 krerë gjedhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Në stallën-fermën e pronarit nuk ka pasur asnjë kafshë të importuar”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Po ashtu, AUV-i thotë se nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar, nga 410 krerë gjedhe të importuara për therje vetëm 14 janë raportuar si të therura, për çka “LUKA COMPANY” iu kishte iniciuar procedurë për kundërvajtje.
Megjithatë, ka mjaftuar një deklaratë nën betim dhe një arsyetim për AUV-in që kësaj kompanive dhe disa të tjerave t’u rikthehet licenca për import të kafshëve të gjalla.
“Komision i veçantë për shqyrtimin e ankesave ka shqyrtuar secilën ankesë dhe pretendim të palëve. Të gjendur përball situatës ku secili operator në ankesë ka paraqitur lutjen për të pasur një mundësi shtesë, ku kanë dhënë deklarata nën betim për përmbushje të të gjitha kritereve ligjore sipas afateve kohore të përcaktuara me ligj. Komisioni ka vendosur qe të heq pezullimet, duke i njoftuar qe forcërisht, në secilën shkelje vijuese do të kenë revokim dhe inicim procedure në organet e drejtësisë. Pas nënshkrimit të deklaratave me të cilën palët kanë pranuar kushtet dhe janë zotuar për zbatim. Një numëri të operatoreve u është rikthyer e drejta e importit nëpërmjet platformës FCMS”, ka thënë ndër të tjera zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Insajderin.
Pra, pavarësisht cenimit të shëndetit publik, komisioni për shqyrtimin e ankesave në AUV ka rikthyer licencën për “LUKA COMPANY” dhe disa operatorë të tjerë ekonomikë me aktivitet të njëjtë biznesor.
Për ironi të çështjes, AUV thotë se “kontrolli i importit të kafshëve, kontrolli i therjeve paraqesin një nga fushat me të ndjeshme në parandalim të përhapjes se sëmundjeve infektive, njëkohësisht me ndikim të lartë në sigurinë e ushqimit“.
Në ankesën drejtuar komisionit të AUV-it, “LUKA COMPANY” ka prezantuar faturat e shitjes, librin e blerjeve dhe shitjeve për vitin 2025, bashkë me deklaratën nën betim.
Kësisoj, AUV ia ka rikthyer regjistrimin në sistemin FCMS dhe TRACES për regjistrimin e kafshëve të importuara.
“Ne po ju bashkangjesim te gjita ecurit e shitjeve te gjedheve qofte persoa fizik,juridik apo dhe ne dosje ku tregon ku eshte bere shitja e gjedhe deri me tani. Prandaj, krejt ne fund ne kerkojm qe te na lejohet te punojme ashtu siq kemi punuar qe nga viti 2013 e tutje duke kontribuar drejt ne pagesen e taksave te shetit tone. Dhe jo te behet pezullimi I importit per subjektin :”LUKA COMPANY”SH.P.K”, përmbyllet ankesa.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për pezullimin e përkohshëm të së drejtës për import të kafshëve të gjalla të 28 operatorëve ekonomikë, për shkak të shkeljeve të identifikuara në zbatim të ligjit dhe rregullativës në fuqi: