
Një kompani private që vetëm pak javë më parë u promovua nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja Rozeta Hajdari si model suksesi dhe përfituese e granteve shtetërore, po përfiton miliona euro nga arka publike përmes kontratave të dyshimta.
“Mercom Auto”, distributori i autorizuar i veturave “Peugeot”, është shpërblyer me një kontratë pesëvjeçare në vlerë 1.920.000 euro për të dhënë me qira 80 vetura, një marrëveshje që ka ngritur shumë pikëpyetje – përfshirë dhe faktin që qiraja për një veturë shkon 24 mijë euro, më shumë sesa çmimi për blerjen e një të reje.
Kontrata është lidhur më 4 shkurt 2025 me Autoritetin Qendror të Prokurimit, ndërsa vetëm disa ditë më pas Kurti dhe Hajdari vizituan të njëjtën kompani për ta promovuar si përfituese të granteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas një kontrate të siguruar nga Front Online, kjo kompani kishte nënshkruar edhe më herët, në fund të vitit 2024, një marrëveshje tjetër me AQP për furnizimin e 58 veturave të reja “Peugeot 308” me një vlerë totale prej 1.3 milionë euro – apo mbi 22 mijë euro për veturë.
550 euro qira nga zyra e Kurtit për një veturë
Por historia nuk mbaron këtu.
Vetë Zyra e Kryeministrit ka lidhur një kontratë të drejtpërdrejtë me kompaninë “Mercom” për 15 vetura me qira, me çmim 550 euro në muaj për veturë, duke anashkaluar krejtësisht AQP-në, në kundërshtim të plotë me nenin 95 të Ligjit të Prokurimit Publik.
Kjo kontratë është lidhur më 17 dhjetor 2024 dhe ka një vlerë prej 99 mijë euro.
Sipas Front Online, kjo përbën shkelje të qartë ligjore dhe mbingarkesë të buxhetit.
“Zyra e kryeministrit Kurti përpos që e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, do të paguajë 550 euro në muaj, ndërsa me kontratën e AQP-së qiraja mujore e një veture është 400 euro”, ka thënë burimi.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqpërdorim të buxhetit dhe për praktika që favorizojnë kompani të afërta me pushtetin.
“Qeveria po jep miliona euro për veturat me qira, të cilat do të kushtonin më lirë nëse do të ishin blerë. Kjo është praktikë e manipulimit me financat publike,” deklaroi Shala.
Edhe Pal Lekaj nga AAK, ka ngritur shqetësime të ngjashme, duke thënë se këto kontrata janë ekonomikisht të dëmshme dhe pa transparencë.
Ndërsa Ardit Dragusha nga Demokracia Plus e ka cilësuar prokurimin publik në Kosovë si një sektor të ekspozuar ndaj favorizimeve dhe klientelizmit.
“Prokurimi publik në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të favorizimit dhe klientelizmit,” u shpreh ai.
Kompania “Mercom” ka mohuar shkeljet dhe ka deklaruar se çdo kontratë është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi.
Megjithatë, ata kanë refuzuar të japin më shumë detaje lidhur me procesin dhe vlerësimin e ofertave.