Kriteret e një tenderi të vlefshëm rreth dy milionë euro të Komunës së Vitisë dyshohet se janë plotësuar rrejshëm. Skandali përfshin kompaninë “Sallahu” Sh.p.k. dhe dy gjeodetë, njëri prej të cilëve dyshohet se është viktimë.
Një kompani private dhe dy inxhienierë të gjeodozisë janë implikuar në një ofertë abuzive të tenderimit për një kontratë të vlefshme rreth 2 milionë euro të Komunës së Vitisë.
Kompania “Sallahu” Sh.p.k., me pronar Naim Sallahun, dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe përdorim të paautorizuar të dokumenteve profesionale të dy gjeodetëve në ofertat e Dosjes së Tenderit të emërtuar “Ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik – Faza II”.
Me qëllim përfitimin e tenderit për të cilin Komuna e Vitisë ka planifikuar 2.1 milionë euro, kompania me seli në Kaçanik ka përdorur në mënyrë të paautorizuar dokumentet profesionale të inxhinierit të gjeodozisë, Selim Berisha.
Një hulumtim i organizatës jo-qeveritare “AVONET” nga Ferizaj, ka zbuluar se kompania “Sallahu”, në Dosjen e Tenderit ka prezantuar një para-kontratë me Selim Berishën pa pëlqimin e gjeodetit.
Madje, pa autorizimin e inxhinierit të gjeodezisë kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet se ka prezantuar edhe diplomën dhe referenca të falsifikuara pune në emër të tij.
Në një përgjigje me shkrim për “AVONET”, Berisha ka thënë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu”. Ka thënë se ai nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.
“Mund te konfirmoj qe janë te dhënat e mia personale si: numri personal, data e lindjes, diploma, etj. Po ashtu mund të konfirmoj qe NUK kam bërë asnjë para kontrate me kompaninë ‘Sallahu’ SHPK dhe as me përfaqësuesin e kompanisë z.Naim Sallahu, ne lidhje me projektin ne fjalë”, ka thënë Berisha. “Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”.
Për të plotësuar kërkesat sipas Dosjes së Tenderit, e cila parashihte angazhimin e dy inxhinierëve të gjeodozisë për përfitimin e kontratës së rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet për përfshirje në shkelje ligjore në bashkëpunim me Fadil Shehun, një inxhinierë të gjeodozisë të punësuar në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”.
Fadil Shehu është gjeodet i punësuar në kompaninë rajonale “Ibër-Lepenci”. Ai është gjeodet i licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, por licenca e tij është e limituar vetëm për nevojat e “Ibër-Lepencit”.
Megjithatë, Fadil Shehu dhe kompania “Sallahu” Sh.p.k. kanë lidhur kontratë mbi vepër për angazhimin e inxhinierit të gjeodozisë për përfitimin e kontratës publike në Komunën e Vitisë.
Kjo kontratë e lidhur mes tyre bie ndesh me Ligjin për Kadastër dhe Udhëzimin Administrativ të MMPH-së për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve. Sipas ligjit, gjeodeti Shehu nuk ka licencë për ofrimin e shërbimeve të cilat nuk ndërlidhen me ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga kompania “Sallahu” Sh.p.k. në lidhje me dy para-kontratat e nënshkruara me gjeodetët, mirëpo ata kanë thënë se momentalisht janë të angazhuar me punime në terren.
“Posa ta kemi të gatshëm dokumentacionin do të ju informojmë për kohën kur mund të vini t’a merrni”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kompanisë “Sallahu” për Insajderin.
Dëshmitë që ka siguruar OJQ-ja “AVONET” dhe Gazeta Insajderi, dëshmojnë se gjeodeti i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” ka lidhur kontratë edhe me një kompani tjetër që ka ofertuar për tenderin e njëjtë. Pra, ai ka lidhur dy para-kontrata me kompani biznesore derisa ka marrëdhënie të përhershme pune në institucionet publike.
Abuzimet me ofertat për tenderin e vlefshëm rreth 2 milionë euro, e implikojnë gjeodetin Fadil Shehu në një kontratë të lidhur me kompaninë “Bageri Company”.
Sipas “AVONET”, edhe kjo kontratë është në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Ai nuk mund të ushtrojë dy aktivitete si gjeodet i licencuar bazuar në Ligjin për Kadastër me nr 04/L-013 dhe Udhëzimin Administrativ MMPH me nr 13/2019 për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve”, thuhet në një raport të “AVONET”.
“AVONET” ka zbuluar se në falasifikim dokumentesh në ofertën për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik – Faza II” është përfshirë edhe operatori tjetër ekonomik, “Gërlica Company”.
Kjo kompani dyshohet se ka falsifikuar dokumentet profesionale të inxhinierit hidroteknik, Arben Kastrati dhe Agim Dërgutit, udhëheqësit të vendpunishtës, një pozitë e paraparë sipas Dosjes së Tenderit.
Vperimet e “Gërlica Company” janë demaskuar nga Kastrati dhe Dërguti. Të dy i kanë thënë OJQ-së “AVONET” se nuk e kanë autorizuar as kompaninë, e as pronarin e saj, Mifail Vogliqi, për përdorimin e dokumenteve profesionale të tyre.
Megjithatë, gjetjet e “AVONET” dhe Gazetës Insajderi nuk i ka evidentuar Komuna e Vitisë. Ajo i ka trajtuar si të barabarta të gjitha ofertat për projektin e rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik. Më 3, tetor e ka shpallur fituese ofertën e konsorciumit të kompanive “Pro & Co Group” dhe “Eskavatori” në vlerë prej 1.9 milion eurove.
Kompania e dyshuar për falsifikim, “Sallahu” Sh.p.k. nuk është eliminuar nga gara mbi dyshimet për falsifikim. Ajo nuk është rekomanduar për kontratë për arsye të tjera. Oferta e saj ishte më e madhe se sa ajo fituese.
Naim Sallahu, pronari i kompanisë “Sallahu” Sh.p.k., në mars të vitit 2019 ishte liruar nga akuzat për kërcënimin e shefit të Gjykatës së Tenderëve, Blerim Dina.
Siç kishte raportuar Insajderi në vitin 2017, Sallahu, në bashkëpunim me Shaban Lushtakun, dyshoheshin për kërcënimin e Dinës. Frikësimi i shefit të OSHP-së dyshohet se ndërlidhej me një tender 21 milionë eurosh.
Asokohe, në një bisedë për Insajderin, Blerim Dina kishte deklaruar se biznesmeni Naim Sallahu dhe Shaban Lushtaku kishin qëllim ta detyronin atë që të takonte ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku. /GazetaInsajderi