×
  • Lajme
  • Analiza

    Skandali me Vipa Çips- Italia e hoqi nga tregu, shteti i Kosovës në mbrojtje të kompanisë “Pestova”

    Insajderi
    10 September 2023 - 12:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një ditë pas sinjalizimit nga sistemi i BE-së, më 3 qershor dy inspektorë të AUV, Musa Dibrani dhe Fatoz Haziri kishin shkuar për inspektim në fabrikën Vipa Çips në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

    Se a kishte çipsa edhe në tregun vendor nga linja e njëjtë e prodhimit, prej nga doli sasia e lartë e kimikatit kancerogjen akrilamideve?! Përgjigja del të jetë po.

    Kompania ka bërë asgjësimin e tyre, bazuar në këtë raport të datës 26 qershor, të përcjellë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

    Asgjësimi është bërë këtu te ne, sepse kemi marrëveshje me kompaninë ku vetë i dorëzojnë mbeturinat, d.m.th janë hapur të gjitha qeset, kemi bërë fotografi gjatë hapjes edhe në pjesën ku janë deponuar në Koshtovë në pikën deponuese”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.

    Por, këtë proces nuk e konfirmon i pari i inspektoratit në AUV, ashtu si edhe rezultatet e analizave të kryera në laboratorin e tyre, raporton Betimi për Drejtësi.

    I pyetur a ka pasur asgjësim të produkteve, Tërshnjaku vazhdimisht tenton t’i shmanget përgjigjes.

    “Gazetarja: A ka pasur asgjësim të produkteve Vipa në Kosovë apo jo?

    Tërshnjaku: Unë po flas për gjithë procedurën me të cilën rezultojnë rezultatet e analizave në rregull, por për procedurën e asgjësimit të produkteve të cilët..

    Gazetarja: A ka pasur asgjësim në Kosovë?

    Tërshnjaku: Në Kosovë, produktet të cilët janë nga ai sistemi i alarmimit të shpejtë nuk kanë ardhur, sepse ato nuk i lejon as Bashkimi Evropian, ato asgjësohen në vendin e origjinës.

     Gazetarja: E në Kosovë a ka pasur?

    Tërshnjaku: Unë po flas, nuk kam informata që mund të jetë produkt i asgjësuar, por unë kam informatën që rezultatet e analizave janë në rregull.

    Gazetarja: Pozita juaj cila është më fal?

    Tërshnjaku: Udhëheqës i Inspektoratit Sanitar.

    Gazetarja: Udhëheqës i Inspektoratit Sanitar, nuk e keni pranuar ju vendimin e datës 15 qershor 2023, për tërheqjen e produkteve të dyshimta ushqimore, është ky një vendim i lëshuar.

    Tërshnjaku: Tërheqjen po…, largimin e përkohshëm të produkteve.

    Gazetarja: Jo, po flas për asgjësimin! Ju lutem nëse keni kohë lexojeni vendimin të cilin e ka lëshuar inspektori juaj”.

    Si rrjedhojë, ai mohon edhe shitjen e 1266 çipsave me nivel të lartë të akrilamideve gjatë kohës sa ishin në treg.

    Këtë shifër e tregon dokumenti i kompanisë të cilët e kanë hartuar për inspektorët pas tërheqjes së mallit nga tregu.

    “Tërshnjaku: Unë në bazë të rezultateve të analizës, mund të konfirmoj se produktet e tanishme të cilat gjenden në treg e të cilët kanë qenë përkohësisht të ndaluara rezultojnë se janë në norma për konsum, këtë konsumatorin dhe gjithë qytetarët mund t’i argumentojmë në bazë të rezultateve të analizave.

    Gazetarja: A mund t’i garantoni qytetarët që nuk i kanë ngrënë 1266 çipsa me nivel të lartë të akrilamideve?

    Tërshnjaku: Po, mundem, sepse produkti ka qenë i tërhequr nga tregu.

    Gazetarja: Është sasia e shitur, i nderuar! Sasia e tërhequr është 1209 çipsa, sasia e shitur nga llojet të cilat kanë qenë me nivel të lart të akrilamideve rezulton të jetë 1266.

    Tërshnjaku: Unë po flas në bazë të vendimeve tona dhe rezultateve të analizave, nuk po flas në bazë të atyre informacioneve që ke. Të gjitha provat materiale që ne kemi, unë po flas për këtë sepse dëshmoj dhe gjithmonë jam përgjegjës.

    Gazetarja: Kjo provë materiale që ju po thoni e kemi siguruar nga autoriteti i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, është dokument i cili është përcjellë nga institucioni juaj ku shihet se cilët janë hapat të cilat i ka ndërmarrë kompania me udhëzimet e inspektorëve të AUV-it.

    Tërshnjaku: Të lutem, unë nuk merrem me…, ajo është e kompanisë, unë po flas për vendimin tanë.

    Në procesverbalin e asgjësimit që mban datën 26 qershor nuk jepen detajet e asgjësimit.

    Në të tregohet vetëm se produktet janë tërhequr nga tregu dhe janë gati për asgjësim.

    Megjithëse kishte dyshim të bazuar për prani të akrilamideve në prodhimet e dala në treg, AUV nuk e kishte njoftuar publikun as para marrjes së mostrave, e as pas daljes së analizave pozitive.

    Pika tre e vendimit të 15 qershorit obligon kompaninë dhe institucionin për njoftimin e opinionit publik për mos blerjen e çipsit Vipa.

    Megjithatë, as kompania e as vetë institucioni nuk kishin dhënë asnjë njoftim për publikun, në mënyrë që produkti të mos blihet të paktën deri në tërheqjen e sasive të dyshuara për prani të lartë të kimikatit kancerogjen.

    Fillimisht, Tërshnjaku përgjegjësinë ia hedh zyrtarit për informim, e më pas tërheq fjalinë kur pyetet nëse të njëjtit i kanë dërguar kërkesë për njoftim të publikut.

    Tërshnjaku: Po mirë, ne e informojmë gjithmonë opinionin publik për këtë punë.

    Gazetarja: E pse nuk i keni informuar në këtë rast?

    ërshnjaku: Jo është e informuar, unë nuk jam zyrtar për informim, unë jam… Të gjitha janë me kohë të informuar…

    Gazetarja: I keni përcjellë përmes email-it zyrtar, i keni bërë kërkesë zyrtarit për media që t’i publikojë këto?

    Tërshnjaku: Më fal, ne raportojmë për çdo ditë për rastet, e sidomos ato që janë sensitive. Kemi raportuar…

    Gazetarja: Përse nuk është publikuar ky rast?

    Tërshnjaku: Shiko, nuk mund të publikohet një rast nëse nuk ka rezultat ta analizës konfirmative.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark