Gjykata Penale e Tiranës do të vlerësojë këtë të enjte masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private.
Mjekja e Onkologjikut pretendon se gjatë punës së saj nuk ka dërguar asnjë pacient drejt klinikave private, dhe se personalisht punon vetëm në shtet. Megjithatë mjekja u shpreh falenderuese ndaj prokurorit të çështjes, dhe tha se hetimeve do të duhet që t’iu shkohet deri në fund.
E teksa përgjimet kanë zbuluar skandalin e rëndë, një prej mjekeve të akuzuara Alketa Pere ka pasur një shqetësim tjetër. Ajo ka debatuar me gazetarët pasi sipas saj nuk e kanë nxjerrë bukur në foto.
Alketa Pere: Më nxirrni pak bukur se më keni shëmtuar te fotot. Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në spitalin privat. E falenderoj prokurorin për punën që kam bërë, sot kam ardhur që të bëj mbrojtjen time, jam komplet e pafajshme. Unë nuk punoj në asnjë klinikë private, prit një minutë mi, se më keni mërzitur ju gazetarët, më keni shtrembëruar fotot. Unë e ruaj deri në pikën e fundit etikën me personat e sëmurë me kancer, se kam persona të sëmurë. Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, dhe gjithçka tjetër.
Çfarë keni bërë ju për ta denoncuar gjendjen?
Mjekja: Mund të ketë shkelje diku, se personat mund të jenë të varur nga ekonomia, por duhet të sqarohen mirë gjërat se kush i ka dërguar pacientët në privat. Unë përfaqësoj veten time, një minutë, një minutë. Dosja ime për të drejtuar atë institucion ka përfunduar në plehra, unë do të vazhdoj që të shkoj në Onklogjik, po kush je ti për të ma treguar.
Mjekja Pere është një nga 7 personat, e vënë nën masë sigurie pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Tiranës, ku u provua se pacientëve nuk iu jepej shërbim në spitalin Onkologjik, në mënyrë që të shkonin drejt klinikave private ku mjekët ishin të dypunësuar. Gjithashtu në përgjime rezultonte se pacientëve nuk iu jepej doza e duhur e ilaçeve për seancat e kimioterapisë.
MASAT E SIGURISË:
1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” parashikuar nga neni 237 të Kodit të Procedurës Penale.
2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” te parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
3. Alketa Ymeri (Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
5. Halil Gashi i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
6. Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi I mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 I K.penal.
7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.
8.Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i K.Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.Zeri