Skandaloze: Biokimistja e vdekur “punonte” njëkohësisht në dy laboratorë – Insajderi sjell dosjen e mashtrimit të Fidaim Shalakut dhe Bekim Gashit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Skandaloze: Biokimistja e vdekur “punonte” njëkohësisht në dy laboratorë – Insajderi sjell dosjen e mashtrimit të Fidaim Shalakut dhe Bekim Gashit

    Insajderi
    20 August 2025 - 15:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy laboratorë që operonin në Fushë Kosovë – “Dibuna Lab” dhe “Bekim T. Gashi B.I” – u kapën duke lëshuar analiza laboratorike me licencë të falsifikuar të një biokimisteje të vdekur. Për afro dy vite, këta laboratorë kishin përdorur vulën dhe emrin e saj për të legjitimuar analizat, ndonëse ajo kishte ndërruar jetë në maj të vitit 2023. Inspektorati Shëndetësor i mbylli laboratorët dhe i gjobiti me gjithsej 22 mijë euro.

    Mira Avdimetaj

    Dy laboratorë në Fushë Kosovë, “Dibuna Lab” me themelues Fidaim Shalakun dhe “Bekim T. Gashi B.I” me pronar Bekim Gashin, u arrestuan në muajin maj të këtij viti, pasi u kapën duke mashtruar dhe falsifikuar dokumente të rëndësishme laboratorike.

    Për një periudhë prej afro dy vitesh, këta laboratorë kanë lëshuar analiza biokimike duke përdorur licencën e falsifikuar të biokimistes serbe Slavica Ristiq, e cila kishte ndërruar jetë në maj të vitit 2023.

    Biokimistja që kishte vdekur, por “punonte” në dy laboratorë njëkohësisht

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e plotë të këtij mashtrimi përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas dosjes, laboratorët “Dibuna Lab” dhe “Bekim T. Gashi B.I” kanë përdorur vulën e biokimistes së vdekur, duke falsifikuar licencën e saj.

    Vendimi sqaron se Fidaim Shalaku, pronari i “Dibuna Lab”, ka falsifikuar licencën profesionale të Slavica Ristiq, duke e paraqitur atë si të lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës me vlefshmëri deri më 09.06.2027. Pas verifikimit nga Inspektorati Shëndetësor dhe OMK, rezulton se biokimistes i kishte skaduar licenca më 28.04.2022, ndërsa ajo kishte ndërruar jetë një vit më vonë.

    “Licenca profesionale e punës e Dr. Slavica Ristiq nuk ishte e lëshuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), dhe pas verifikimit rezulton se nga data 28.04.2022 ajo nuk kishte licencë të vlefshme profesionale,” thuhet në vendim.

    Vdekjen e biokimistës e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi Prokuroria Themelore e Prishtinës. Në përgjigjen e tyre thuhet se biokimistja serbe ka ndërruar jetë në maj të vitit 2023.

    “Konfirmojmë që znj. Slavica Ristic ka ndërruar jetë me datë 04.05.2023. Megjithatë, pas vdekjes së saj, të pandehurit kanë vazhduar të lëshojnë analiza laboratorike duke përdorur emrin e saj”, konfirmoi zëdhënësja e prokurorisë Kaltrina Shala.

    Megjithatë, kjo nuk i ndaloi dy pronarët që, për përfitime personale, të përdornin faksimilen (vulën) e Dr. Ristiq edhe pas vdekjes së saj – një veprim që përbën falsifikim të dokumentit zyrtar dhe mashtrim.

    Analiza të lëshuara pa mbikëqyrjen e specialistëve

    Gjatë kontrollit në ambientet e laboratorëve, Inspektorati Shëndetësor ka gjetur edhe analiza laboratorike të lëshuara pa emrin e specialistit që do të duhej të kontrollonte rezultatet mikrobiologjike.

    “Inspektorati Shëndetësor, gjatë kohës së inspektimit, konstaton se institucioni privat shëndetësor ‘Dibuna Lab’, laborator mjekësor biokimik dhe hematologjik në Fushë Kosovë, ka ofruar shërbime laboratorike mikrobiologjike pa praninë e specialistit,” thuhet në vendim.

    Deklarimi i rremë i pronarit Fidaim Shalaku

    Pronari i “Dibuna Lab”, Fidaim Shalaku, kishte tentuar të mashtrojë inspektorët, duke deklaruar se biokimistja e ndjerë “nuk ishte paraqitur në laborator prej disa muajsh”.

    “Deklaroj se Dr. Slavica Ristiq ka disa muaj që nuk ka qenë prezente në laborator. Datën dhe muajin nuk e di saktësisht,” citohet ai në dosjen e Inspektoratit.

    Pas hetimeve dhe konstatimeve, Inspektorati Shëndetësor ka urdhëruar mbylljen e laboratorit dhe ka gjobitur “Dibuna Lab” me 15 mijë euro, ndërsa “Bekim T. Gashi B.I” me 7 mijë euro.

    Hetimet nga Krimet Ekonomike dhe Prokuroria

    Në maj të këtij viti, Hetuesia për Krime Ekonomike zhvilloi një aksion në dy laboratorët në Fushë Kosovë – “Dibuna Lab” të Shalakut dhe “Bekim I. Gashit” të Bekim Gashit – të cilët operonin pa staf të licencuar dhe me dokumente të falsifikuara.

    Gjatë hetimeve janë aplikuar masa të posaçme hetimore, përfshirë simulimin e blerjes së shërbimeve, përmes të cilit janë siguruar raporte biokimike me vulën e biokimistes së ndjerë, Ristiq.

    Në vendin e ngjarjes u thirrën edhe inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor, të cilët konstatuan shkelje të rënda dhe urdhëruan mbylljen e të dy laboratorëve.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marr një koment nga dy pronarët e laboratorëve, por nuk kanë pranuar të përgjigjen./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark