
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë masa ndaj dy strehimoreve ilegale të qenve në komunën e Ferizajt, të cilat u mbyllën pas inspektimeve të fundit.
Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë kontrollit është konstatuar se qentë, të cilët ishin marrë për adaptim nga komuna e Prishtinës, mbaheshin në kushte të papërshtatshme dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, përgjegjësit e strehimoreve nuk kishin siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mirëqenien e kafshëve, duke bërë që një numër i qenve të strehuar të ngordhin.
AUV ka marrë vendim për mbylljen e të dyja strehimoreve dhe kthimin e qenve në strehimoren e licencuar të komunës së Prishtinës.
Rasti do të procedohet më tej në gjykatë pas kompletimit të të gjitha materialeve.
Një qytetar nga Ferizaj i cili ka dashur të mbetet anonim, ka treguar për Insajderin se si janë trajtuar qentë endacak në strehimore.
“Dy ditë nuk kanë ardhur për t’ua dhënë ushqimin. I kanë lënë në vapë 40 gradë, në diell, pa hije, pa ujë, pa ushqim. Kanë ngordhur e kanë ngrënë njëri-tjetrin. Përparim Rama ka ardhur, i ka parë në atë gjendje, por nuk ka marrë asnjë masë”, tha qytetari për Insajderin.
Qytetari më tutje pretendon se mbikëqyrësja e këtyre qenve, Florentina Bajrami është familjare e kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Florentina Bajrami është akuzuar nga Drejtoresha e Fondacionit për të drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani, se ka njohje të afërt me partneren e Bekim Brestovcit drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit.
Bajrami ishte promovuar nga zyrtarët komunalë si adoptuesja e qenit të 1000-të.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, tha se AUV ka inspektuar dy strehimore ilegale për qen që ishin financuar nga Komuna e Prishtinës, dhe ka konstatuar shkelje serioze të mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit publik.
“Këto inspektime u realizuan pas kërkesave të përsëritura nga organizata jonë, dëshmi që pa një monitorim të vërtetë, ky abuzim do të mbetej i fshehur. Dhe mos ta harrojmë: komuna ka injoruar vazhdimisht kërkesat tona për të marrë pjesë në vizitat monitoruese. Tani po e kuptojmë pse.
Premtim Gashi dhe Florentina Bajrami, të cilët supozohej t’i mbanin këta qen në kushte të sigurta dhe humane që plotësojnë të gjitha nevojat e tyre, paguheshin 50 euro për qen në muaj. Mirëpo realiteti ishte krejt ndryshe”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se çka gjeti AUV:
– Higjienë e tmerrshme: hapësira të ndyra, pa ndarje të duhur të kafshëve.
– Pa ujë të pastër, pa kujdes bazik.
– Qen të lënë nën vapë përvëluese, të ekspozuar dhe duke vuajtur.
– Një qen i vdekur u gjet gjatë inspektimeve.
– Më pak qen se sa raportohej zyrtarisht, që tregon për shifra të rreme dhe mashtrim të mundshëm.
– Erë e rëndë e qenve të vdekur, sipas punëtorëve aty afër — që tregon se shumë qen kanë vdekur dhe nuk janë raportuar kurrë.
– Mungesë e dokumentacionit veterinar⚠️
“Ky është një abuzim i qartë i fondeve publike dhe një neglizhencë totale ndaj mirëqenies së kafshëve nga njerëz që vazhdimisht deklarojnë se “mirëqenia e kafshëve është prioritet”, të cilët u siguruan që ne të mos e shihnim të vërtetën, duke na bllokuar pjesëmarrjen në vizitat monitoruese”, thuhet në postim.
Sa qen kishte adaptuar Premtim Gashi?
Një listë të cilën e ka parë Insajderi, emri i Premtim Gashit figuron më shumë se 100 herë si adaptues.
Pra ai kishte më shumë se 100 qen dhe për secilin prej tyre ka marrë nga 50 euro.
Pamje si trajtoheshin qentë endacak: